
39 deputetët e legjislaturës së fundit nuk arrijnë të mbeten në Kuvend
Janë 29 kandidatë që do të jenë për herë të parë deputetë, tregojnë rezultatet e siguruara nga partitë politike, bazuar në numërimin e 78 për qind të vendvotimeve nga KQZ-ja. Sipas këtyre të dhënave që janë jozyrtare, 39 deputetë të legjislaturës së kaluar kanë mbetur jashtë Kuvendit.
Nga numërimi i rreth 80 për qind të vendvotimeve në të gjithë Kosovën, përbërja e Kuvendit do të ketë shumë emra të rinj krahasuar me legjislaturën e kaluar.
Bazuar në rezultatet aktuale të kandidatëve për deputetë, të siguruara nga partitë politike, 29 deputetë nga partitë parlamentare Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia Demokratike (PDK), Lidha Demokratike (LDK) dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)dhe Nismës Socialdemokrate, do të jenë për herë të parë në Kuvend.
Më së shumti deputetë të rinj ka LVV-ja, 13 sish. Pas saj është PDK-ja me 9 deputetë. E treta është LDK-ja me 6 deputetë të rinj dhe AAK-ja me vetëm një.
Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, pa numëruar votat e diasporës e ato me kusht, LVV-ja do të ketë 47 deputetë, PDK-ja 25, LDK-ja 20 dhe AAK-Nisma 8.
Nga Lëvizja Vetëvendosje 11 ministrat e saj që i ka kandiduar për deputetë, 10 kanë marrë mjaftueshëm vota për t’i fituar mandatet.
22 nga deputetët e legjislaturës së kaluar që kanë rikandiduar nuk kanë arritur të bëhen deputetë: Agon Batusha, Alban Bajrami, Ardian Gola, Arta Bajralia, Besim Muzaqi, Driton Hyseni, Ekrem Mustafa, Enver Dugolli, Enver Haliti, Fatmire Kollçaku, Fitim Haziri, Gani Krasniqi, Gramos Agusholli, Hydajet Hyseni, Jetmire Vrenezi, Milazim Salijaj, Mirlinda Tishukaj, Mirsad Shkreta, Nasuf Bejta, Nijazi Isaku, Shqipe Isufi dhe Vendenis Lahu. E nga ministrat, është ajo e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hadari.
Ndërkaq, për herë të parë do të hyjnë: Nezir Kraki, Liza Gashi, Valon Hoti, Agim Bahtiri, Bajram Mavriqi, Ilir Kërçeli, Jeton Raka dhe Burim Demiri.
Me rezultatet aktuale LVV-ja ka 19 deputete gra duke tejkaluar kuotën gjinore prej 30 për qind.
E në Partinë Demokratike nga legjislatura e kaluar 7 deputetë të PDK-së kanë mbetur jashtë e 11 do të jenë të njëjtë.
Janë 9 deputetë që do të jenë për herë të parë e 4 janë ish-deputetë të legjislaturave më të hershme.
Me rezultatet aktuale, jashtë kësaj legjislature do të mbesë Xhavit Haliti, i cili ka qenë deputet që prej themelimit të Kuvendit të Kosovës e gjithashtu edhe Ardian Kastrati, Eliza Hoxha, Florete Zjenullahu, Hajdar Beqa, Hisen Berisha e Isak Shabani.
PDK-ja ka 5 gra fituese ndërkaq me ligj duhet t’i ketë 8 deputete.
Kësisoj për të mundësuar plotësimin e kuotës, rrezikojnë mandatin Petrit Hajdari, Bekim Haxhiu, Arben Mustafa, për t’u zëvendësuar me Eliza Hoxhën, Arbnore Salihun e Kosovare Murselin.
Nëse Bedri Hamza e mban pozitën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, atë e zëvendëson Arben Mustafa.
E LDK-ja do të vazhdojë të ketë 9 deputetët e legjislaturës së shkuar, 6 të rinj e 5 deputetë të legjislaturave të mëhershme. Në mesin e deputetëve hynë tre kryetarët e komunave Imri Ahmeti, Gazmend Muhaxheri e Sokol Haliti.
Nga deputetët e kaluar që kanë mbetur jashtë Kuvendit, nga të dhënat aktuale, është ish-shefi i grupit parlamentar Arben Gashi, Drita Millaku, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi, Valentina Bunjaku e Vlora Dumoshi.
Gratë e Lidhjes Demokratike kanë fituar 5 mandate e që me kuotën gjinore duhet shtuar edhe një.
Nëse tre kryetarët e komunave i ruajnë pozitat, bëhet vend për Arben Gashin, Xhafer
Gashin dhe Alban Zogajn.
E, nëse duhet të arrihet kuota gjinore prej 30 për qind atëherë mandatin e rrezikon Alban Zogaj për t’u zëvendësuar me Lirije Kajtazin.
E në koalicionin AAK-Nisma mandatet i kanë siguruar Ramush Haradinaj, Time Kadrijaj e Bekë Berisha.
Ndërkaq jashtë ka mbetur Besnik Tahiri, ish-shefi i grupit parlamentar, Pal Lekaj, Shemsedin Dreshaj e Albana Bytyqi.
Katër ish-deputetët e legjislaturave të mëhershme Daut Haradinaj, Fatmir Limaj, Lahi Brahimaj, Ardian Gjini bashkë me deputeten e re Arbëreshë Krasniqi kanë marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputetë.
Nëse Ardian Gjini mban pozitën e kryetarit të Komunës, atëherë zëvendësohet nga Vesel Krasniqi i Nismës Socialdemokrate.
Liderët më të votuar në këto zgjedhje sipas të dhënave aktuale që ende nuk janë zyrtare nga KQZ-ja, janë Albin Kurti me mbi 230 mijë vota, Bedri Hamza me 122 mijë, Lumir Abdixhiku me mbi 94 mijë, Memli Krasniqi me mbi 69 mijë e Ramush Haradinaj me mbi 34 mijë.
Gruaja më e votuar në këto zgjedhje është Albulena Haxhiu me rreth 80 mijë vota.