4 muaj pas sulmit serb | Banjska, fshati ku u shkrua historia dhe u zhvillua beteja për Republikën
Banjska është e qetë. Edhe në rrugën që të çon deri në këtë fshat të thellë të veriut të Kosovës vihen re pak lëvizje të njerëzve dhe veturave. Policia e Kosovës është në krye të detyrës. Patrullime bëhen edhe nga KFOR-i dhe EULEX-i.
“Situata është e qetë, por është e tensionuar, delikate, duke qenë se grupi i Banjskës nuk është eliminuar, duke marr parasysh që udhëheqësi i tyre Milan Radojçiqi është në liri, atëherë kjo ne na bën që të jemi vigjilentë.”
Katër muaj me parë, situata ishte krejtësisht ndryshe.
“Aty konsideroj që është shkruar historia. Mendoj se një pjesë e historisë është aty dhe do të jetë gjithmonë. Një betejë ne e kemi fituar me dëme minimale, edhe nga ana jonë, edhe nga ana e palës tjetër.”
Në orët e para të datës 24 shtator 2023, rreshteri Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës, pasi ishte pjesë e patrullës që reagoi e para në atë që ishte inskenuar si një rast kontrabande.
“Unë kam qenë në shtëpi, jam njoftuar nga baza e policisë që ka gjuajtje me armë zjarri”.
Policia shpejt do të kuptonte se kishte të bënte me një akt terrorist dhe përballë ishin njerëz me përgatitje dhe armatim ushtarak.
“Kemi pasur minahedhës 82 milimetërsh, minahedhës 60 milimetërsh, me qindra predha që i kemi konfiskuar, kemi pasur pushkë automatike 30 milimetërsh që është gjuajtur me automatikë, është armë e rëndë që përdoret për person ose për autoblinda, ka pasur mina antitank, mina antikëmbësorike, shumë material ushtarak”.
Në kundërpërgjigje të terroristëve, urdhri ishte i qartë. Civilët, shtëpitë private dhe manastiri nuk preket.
“Urdhri ka qenë atë ditë nga vendi i ngjarjes, si eprorë që kemi qenë bashkë me njësitë e tjerë, ka qenë që sheh civilë nuk gjuan, e sheh një person të unfiormuar me maskë, me armë, futet në shtëpitë civile, nuk gjuan, nëse e sheh e ke një pamje të qartë, atëherë e gjuan, gjuaje dhe vraje, ky është urdhri që është dhënë atë ditë.”
Banjska nuk ishte zgjedhur rastësisht nga terroristët, pasi në këtë zonë ka pasur shumë rrugë ilegale që e lidhin fshatin me Serbinë. Pas shumë orësh në përballje me grupin, policia arriti të merrte kontrollin e gjithë zonës. Megjithatë, rreziku për efektivët policorë mbetet i lartë.
“Policët patrullues janë çdo natë në rrugë, çdo ditë, nuk është personel i cili është trajnuar për të shkuar në rrezikshmëri të lartë. Por edhe të ishin trajnuar për rrezikshmëri të lartë, momentin që ti patrullon natën dhe 17% e territorit tënd është mal, pritet një gjë e tillë.”
Serbia paguan një përqindje të madhe të serbëve në veri, në atë që njihen si struktura paralele, prandaj edhe të njëjtit i shantazhon duke i detyruar të veprojnë në dëm të Republikës së Kosovës.
“Na kemi problem në veri me strukturat paralele, nëse paguhet shëndetësia, arsimi, dhe shumë veprimtari të tjera që bëhen në mënyrë paralele nga Serbia, atëherë në kemi problem me ta, për arsye se si vendos Beogradi këta duhet të veprojnë.”
Banjska ka lënë gjurmët e saj si fshati ku ndodhi përpjekja më e rëndë për të cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. A2Cnn