4 përfaqësueset e Kosovës në kampin ‘Fiba European Women’s Basketball Summit’
Nga 11 deri më 15 korrik në Postojna të Sllovenisë do të mbahet Kampi “FIBA European Women’s Basketball Summit”, që organizohet për vitin e 13-të radhazi nga FIBA Evropa dhe Federata e Basketbollit të Sllovenisë.
Në këtë Kamp organizatorët kërkojnë nga Federatat Nacionale të Evropës që të nominojnë dy basketbolliste nën 15 vjeç, 1 trajnere (femër) dhe 1 gjyqtare (femër).
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka vendosur që Kosovën në këtë aktivitet ta përfaqësojnë Saranda Daci në cilësinë e trajneres, Irma Konjusha në cilësinë e gjyqtares dhe Gresa Berisha e Xheneta Dacic të dyja këto basketbolliste nga Peja. Ato kanë udhëtuar të enjten për këtë kamp shumë të rëndësishëm.
Kampi i basketbollisteve do të jetë i fokusuar në zhvillimin e aftësive individuale, në veçanti mbi bazat specifike për lojtaret fundore dhe ato që luajnë në pozitat alo-qendër ose qendër, andaj edhe secilës Federatë Nacionale iu është kërkuar nga organizatorët që të dërgojnë lojtare të këtyre pozitave.
Klinika për trajneret do të udhëhiqet nga trajneret e diplomuara në programin e FIBA Evropës për trajnerë, FECC, të cilat trajnere janë të specializuara në zhvillimin e lojtareve të reja, andaj edhe organizatorët kanë kërkuar që Federatat Nacionale të dërgojnë trajnere që punojnë me gjenerata të reja. Ndërkaq kampi për gjyqtaret do të udhëhiqet nga instruktoret e nivelit të lartë të FIBA-s, si dhe nga top gjyqtaret në FIBA.
Duhet theksuar se ky është viti i tretë radhazi që Federata e Basketbollit të Kosovës është pjesëmarrëse e Kampit në Postojnë të Sllovenisë.