4 policë janë shëruar nga koronavirusi, 7 të tjerë ende
Muaji maj ka shënuar rënie drastike të numrit të qytetarëve të prekur me COVID-19, ndërsa është rritur në mënyrë të konsiderueshme numri i të shëruarve nga koronavirusi në Kosovë. Listës së të shëruarve i janë shtuar edhe katër zyrtarë policorë të cilët kanë qenë të prekur me COVID-19, ndërsa edhe shtatë të tjerë vazhdojnë të jenë ende pozitivë. Kështu ka thënë për “KosovaPress”, Bajram Krasniqi, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, i cili ka treguar se zyrtarët policorë që kanë dalë negativë aktualisht janë duke qëndruar për disa ditë në vetizolim.
“Numri i policëve të prekur me COVID është 11 në tërë Republikën e Kosovës. Prej tyre, 4 janë shëruar dhe 7 të tjerë vazhdojnë të jenë pozitivë, mirëpo janë në gjendje të mirë shëndetësore. Vazhdojnë edhe një vetizolim të shkurtër, pastaj ne e kemi një Drejtori të Shërbimeve Shëndetësore në kuadër të Policisë. Ata tërë kohës, përpos mjekëve të IKShP-së, i kanë trajtuar edhe këta dhe besoj se, varësisht nga dita e bërjes së testit që kanë dalë negativ, do të kthehen edhe në vendet e tyre të punës”, ka thënë Krasniqi, i cili ka dhënë hollësi edhe për 11 zyrtarët policorë që janë prekur gjatë kësaj periudhe me COVID-19.
“Disa raste janë prekur gjatë transportit të personave. Një rast ka qenë në Malishevë, se i biri ka qenë i prekur, një rast tjetër e kemi një zyrtare policore e cila ka qenë jashtë vendit në trajnim e kur është kthyer ka dalë pozitiv. Pesë rastet e tjera i kemi në pjesën veriore të Mitrovicës”, ka treguar Krasniqi.
Deri tani në Kosovë kanë rezultuar pozitivë 870 persona, prej tyre 653 pacientë janë shëruar, ndërsa 28 kanë humbur jetën.