4 vjeçari del natën nga shtëpia, vdes nga i ftohti
U zgjua në mes të natës, doli në rrugë me pizhame dhe vdiq. Një fëmijë 4-vjeçar, doli në rrugë teksa temperaturat ishin -20 gradë celsius, dhe vendi ishte mbuluar nga akulli dhe bora.
Vogëlushi Bogdan, u gjet vetëm pas disa orësh, tërësisht i ngrirë. Ngjarja e rëndë u shënua në Krasnoyarsk, në Rusi, në fshatin e Yaga.
Megjithatë nuk është e qartë arsyeja që e ka shtyrë fëmijën të dalë në rrugë në mes të natës dhe si ka mundësi që prindërit nuk e vunë re.
Ata konstatuan mungesën e vogëlushit vetëm në 06:00 të mëngjesit të kësaj të hëne duke nisur kërkimet, shkruan noa.al, përcjell ksp.
Ishte policia ajo që e gjeti vogëlushin të pajetë në dëborë. Dyshohet se fëmija ka dalë në gjendje somnambulizmi në rrugë, pasi edhe më parë ka shfaqur disa raste të ngjashme.