4 vjet nga vdekja e asamblistit Labinot Aliaj, zyrtarët e PDK-së bëjnë homazhe te varri i tij
“Sot bëhen 4 vjet nga ndarja e papritur nga jeta e Labinot Aliajt, një humbje e madhe për familjen, Istogun dhe Partinë Demokratike të Kosovës”, kështu ka theksuar nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, zyrtar i lartë i PDK-së, Enver Hoxhaj, cili me deputetë të PDK-së, nënkryetarin e Komunës së Istogut, Ali Nimanaj, dhe zyrtarë tjerë të PDK-së kanë bërë sot homazhe te varri i Labinot Aliajt në Istog.
Hoxhaj ka theksuar se kujtimi për të mbetet në zemrat tona, ndërsa veprat dhe angazhimi i tij i palodhshëm për komunitetin vazhdojnë të na frymëzojnë çdo ditë.
“Labinoti ishte një politikan i ri i mrekullueshëm, një njeri i dashur, punëtor dhe aktivist i përkushtuar i PDK-së!”, ka deklaruar Hoxhaj.
Nënkryetari i Komunës së Istogut, Ali Nimanaj, tha se ikja e tij ishte goditje e fortë jo vetëm për familjen por edhe për shoqërinë.
“Kjo ikje në heshtje ishte goditje e fortë jo vetëm për familjen, por për shoqerinë dhe gjithë qytetin sepse Labi ishte i të gjithëve! Përjetësisht në kujtimet tona miku im Lab”, ka theksuar Nimanaj.
Labinot Aliaj ishte një nga djemtë më të mirë të Istogut, aktivist i dalluar dhe asambleist i PDK-së, i cili nuk u ndalë së vepruari deri në frymën e fundit.