40 kompani ofrojnë 500 vende pune në Gjilan
Në Gjilan është hapur edicioni i dytë i Panairit të Punës në të cilën kanë marrë pjesë 40 kompani nga sektorë të ndryshëm.
Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, ka bërë me dije se kompanitë pjesëmarrëse ofrojnë rreth 500 vende pune.
“Ky panair dëshmon se ka vende pune në ndërmarrjet e komunës së Gjilanit dhe kohëve të fundit mundësitë për të përgatitur profesionalisht një punëkërkues janë shumë më të mëdha duke iu falënderuar partnerëve tanë MPMS, GIZ dhe të tjerëve”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa, drejtori i Qendrës për Punësim në Gjilan, Xhevat Aliu, ka thënë se përmes këtij panairi, bizneset po ofrojnë vende pune për angazhim të fuqisë punëtore, duke shtuar se në këto rrethana të papunësisë, po ndikohet direkt në përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike.
Në anën tjetër, Klaus Bader – Labarre, nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), ka thënë se qëllimi i organizimit të përbashkët i këtij panairi, është t’i bashkojë punëdhënësit dhe punëkërkuesit.
Panairi i Punës në Gjilan është organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK), Agjencinë Për Zhvillim Rajonal – Lindje dhe Zyrën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
/Epoka e re/