40 milionë euro për furnizimin e veriut me rrymë, KOSTT në prag të falimentimit

28 janar 2022 | 19:41

Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) në komentet e saj ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, është ankuar se pagesat që është duke i bërë për enegjinë elektrike të shpenzuar në veri të Kosovës janë duke e çuar drejt falimentimit.

Sipas KOSTT-it, kostoja e humbjeve në pjesën veriore gjatë vitit 2021 ka arritur vlerën prej 40,849,659 euro.

“Kostoja e humbjeve në pjesën veriore gjatë vitit 2021 ka arritur vlerën prej 40,849,659 euro. Nga Qeveria e Kosovës janë mbuluar rreth 7,673,462 milionë euro, pjesa tjetër prej 33,176,197 euro është mbuluar nga buxheti i KOSTT sipas udhëzimeve të Parlamentit të Kosovës. Si rrjedhojë, Bilanci i Suksesit të kompanisë me 31 dhjetor 2021, paraqitet negativ, pra me humbje rreth 25 milionë euro”.

“Të gjitha parashikimet financiare për vitin 2022 me skenarët ku obligimi i mbulimit të humbjeve në pjesën veriore i mbetet KOSTT pa të hyra për këtë kosto, e sjellin kompaninë në prag të falimentimit në tremujorin e parë të vitit 2022”.

KOSTT kërkon nga ZRrE që urgjentisht të ia largojë obligimin e mbulimit të humbjeve në pjesën veriore të Kosovës nga Licenca për Operatorin e Sistemit të Transmetimit ose të gjejë një mekanizëm tjetër të mbulimit të kësaj kostoje.

KOSTT thotë se gjendja financiare në kompani është jashtëzakonisht e rënduar.

“Nëse vazhdohet ky trend, parashikimet financiare e vendosin kompaninë në prag të falimentimit në tremujorin e parë të këtij viti. KOSTT kërkon nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që gjatë procesit të vendosjes së të hyrave dhe kostove për këtë vit të merret parasysh ndër të tjera edhe likuiditeti i kompanisë”, thuhet ndër të tjera në komentin e KOSTT dërguar ZRrE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komisionit për Kosovën në Parlamentin e Serbisë, Milovam…