
40 për qind e të rinjve s’kanë interesim të merren me politikë
Rinia në Kosovë: Nga Apatia në Angazhim – Si t’i Rrisim Pjesëmarrjen dhe Ndikimin Politik?”, ishte temë diskutimi i sallonit të së martës nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), raporton Ekonomia Online.
Hapja informuese u bë nga Ditjon Fetahu, drejtor Ekzekutiv në Këshillin Rinor Kosovar, i cili prezantoi një hulumtim të pjesëmarrjes së të rinjve në politikë.
Pjesëmarrjen e të rinjve në politikë, Fetahu e konsideroi shqetësuese pasi rreth 40 për qind të tyre thonë se nuk dinë fare për politikë dhe nuk kanë interes që të merren me politikën.
“Në fakt qe kjo ‘Apatia’ e ka karakterizuar paksa interesin e të rinjve në raport me politikën që nga viti 2019 e tutje. Interesi i të rinjve për politikën është jashtëzakonisht i ulët, i ulët janë edhe njohuritë që ata kanë për politikën në përgjithësi por janë të shoqëruara kjo me njëra-tjetrën. Në anketë rreth gjysma e tyre theksojnë se nuk janë fare të interesuar të hyjnë në politikë, që numër është goxha i madh krahasuar me vendet e rajonit. Rreth 40 për qind të tyre thonë se nuk dinë fare për politikë dhe nuk kanë interes që të merren me politikën. Janë këtu disa shifra që janë shqetësuese për demokracinë tonë, pavarësisht se të rinjtë në Kosovë e përkrahin demokracinë”, u shpreh Fetahu.
Shqetësuese këto rezultate i sheh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami. Ai tha se aktualisht në Kuvendin e Kosovës janë afër 30 deputetë nën moshën 35 vjeç.
“Ideja është shqetësuese kur një anketim i tillë nxjerrë rezultate të tilla dhe është për t’ui habitur për shkak se në vitin 2021 ka pasur një ndryshim goxha të rëndësishëm te përfaqësimi i të rinjve në Kuvendin e Kosovës. Të Grupi i deputetëve të rinj që janë nën moshën 35 vjeçare kanë qenë afër 30 deputetë, e në të kaluarën që ka pasur Kuvendi i Kosovës deputetë nën moshën 35 vjeçare ka qenë 10 deputetë. Për fat të keq, ka parti politike që nuk ka pasur përfaqësues në atë grup parlamentar”, u shpreh Bajrami.
“Të rinjtë e kanë krijuar një lloj stepje me idenë se nuk janë mjaftueshëm të aftë të krijojnë hapësirë për idetë që i kanë dhe kjo vjen nga një mendësi e cila është bërë kryesisht pas luftës dhe unë këtë e kam takuar edhe vetë personalisht. Ka qenë një nxitje e deputetëve më të moshuar që ‘ti ki kohë dhe je i ri’. Pra nëse je nën moshën 35 vjeç je i ri dhe nuk ke nevojë me u ngut, për shkak se ka kohë që ti me tregu vetën. Sot për sot në shoqëri që janë nën moshën 35 vjeç janë të rinj edhe për t’u angazhuar për punë”, u shpreh tutje Bajrami.