40-shi i PDK-së, Genc Prelvukaj: Kam vendosur t’i jap impuls më të madh angazhimit politik
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar listën e 110 kandidatëve për deputet në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Kjo listë, e cila nga PDK-ja është quajtur listë e ekipit fitues, përfshinë personalitete të rëndësishme që në kohë të ndryshme kanë dhënë kontribut për vendin.
Në mesin e këtyre personaliteteve është edhe Genc Prelvukaj, i cili në këto zgjedhje mban numrin e 40 në listën e PDK-së.
Për më tepër se dy decenie, Prelvukaj ka qenë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, duke ushtruar funksione dhe zbatuar detyra konform objektivave partiake e shtetërore.
“Në këtë kontekst, gjithmonë në konsultim me kryetarin e partisë z. Memli Krasniqi dhe kandidatin për kryeministër z. Bedri Hamza, tani kam vendosur t’i jap impuls më të madh angazhimit politik, duke shpallur kandidaturën për deputet në zgjedhjet e shkurtit. Në radhët e listës së PDK-së, unë mbaj numrin 40 dhe uroj të jetë i mbarë. Gjithsesi për ta arritur objektivin e paracaktuar, do të doja te kisha mbështetjen tuaj!”, ka thënë Prelvukaj.