40 vjet burgim për dy të akuzuarit lidhur me vrasjen e vitit 2009 në Lipjan
Pas kthimit të rastit në rigjykim, i akuzuari për vrasje të rëndë, Gëzim Retkoceri, sërish është dënuar me 30 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor lidhur me vrasjen që kishte ndodhur në vitin 2009, në Lipjan.
Në këtë dënim, atij do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 30 prilli 2009, e tutje.
Ndërkaq, i akuzuari për veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”, Osman Spahiu është dënuar me 10 vjet burgim, të cilit gjithashtu do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Sipas aktgjykimit të shpallur të martën, nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaji, të akuzuarit Retkoceri, i është konfiskuar vetura “Golf 2”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Retkoceri, do t’i vazhdohet masa e paraburgimit, derisa një masë e tillë, i është ndërprerë të akuzuarit Spahiu.
“Trupi gjykues pas analizimit dhe vlerësimit të provave si dëshmia e dëshnitarëve, ekspertiza mjekoligjore, hyrje-daljet nga SMS të Gzim Retkocerit, si dhe të të akuzuarit Spahiu dhe të ndjerit Hajrizi, raportet e ekspertizës, batanija, qese najloni, njolla të gjakut. Nga këto priva u vertëtu se të akuzuarit kanë kryer veprën penale”, ka thënë gjykatësi Veseli, me rastin e shpalljes së këtij aktgjykimi.
Pas këtij aktgjykimi, ka reaguar i akuzuari Retkoceri.
“Kjo është drejtësia juaj, kjo është padrejtësi. Këta që i kanë bo këto sene krejt kam mi qitë”, ka thënë Retkoceri.
Dy të akuzuarit janë obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë nga 300 euro, si dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Kurse, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.
Ndryshe, i akuzuari Osman Spahiu, i cili fillimisht ishte ngarkuar me veprën penale “vrasje e rëndë”, mirëpo pasi prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu, në seancën e 10 janarit 2020, kishte bërë rikualifikimin e veprës penale ai edhe e kishte pranuar fajësinë.
Ndryshe, ky rast është kthyer në rigjykim më 4 maj 2016, nga Gjykata e Apelit, e cila ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 7 korrik 2015, dy të akuzuarit për vrasjen e Naim Hajrizit, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu i kishte dënuar me nga 30 vjet burgim.
Me rastin e kthimit në rigjykim, Gjykata e Apelit, kishte konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shkelur dispozitat e procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzon Retkocerin dhe Spahiun, se më 29 prill të vitit 2009, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, e kishin rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizin, me qëllim që ta privojnë nga jeta.
Sipas aktakuzës, tani të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart.
Prokuroria pretendon se dy të akuzuarit pasi e kishin vrarë tani të ndjerin, e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij.