43 orë kohë për të ardhur nga Zvicra në Kosovë
Një familje nga Kosova është ankuar për bllokada të shumta gjatë rrugës nga Zvicra për në Kosovë.
Sipas familjes Islami, “një udhëtim i tmerrshëm” i tyre zgjati 43 orë ku tha se bllokimi i trafikut në pikën kufitare të Bajakovës, midis Kroacisë dhe Serbisë, ishte “torturues” dhe “e papranueshme, veçanërisht për fëmijë”.
Familja Islami u nis nga Berna të premten në orën 14:00 dhe mbërriti në Kosovë të dielën në orën 8:00 të mëngjesit, duke kaluar përmes Austrisë, Gjermanisë, Sllovenisë dhe Kroacisë. Ndërsa fillimi i udhëtimit shkoi pa probleme, situata u përkeqësua ndjeshëm në kufirin kroato-serb, ku një bllokim trafiku i gjatë dhe i vazhdueshëm i la të gjithë të pashpresë, shkruan Albinfo.at.
“Nuk kishte më përparim dhe më e keqja ishte: nuk kishte fund”, ka folur mërgimtari nga familja Islami. Ai thotë se edhe të tjerë kanë raportuar probleme të ngjashme gjatë fundjavës.
Islami kritikon për situatën, duke fajësuar BE-në për mosndërhyrje, Kroacinë për kaosin në anën e saj të kufirit dhe Serbinë për mungesën e pikave kufitare ose të efikasitetit në ato ekzistuese.
Ai bën thirrje për procese më të shpejta të trajtimit të udhëtarëve dhe për një numër më të madh të stafit, veçanërisht gjatë sezonit.
Problemi kryesor, sipas Islamit, është regjistrimi i të gjithë personave që nuk mbajnë pasaportë të BE-së, një proces që zgjat mesatarisht 5-10 minuta për makinë. Kjo, në kombinim me volumin e madh të trafikut, çon në bllokime të gjata dhe frustrim të udhëtarëve.
Pavarësisht vështirësive të përjetuara, familja Islami është e lumtur që arriti në destinacion dhe shpreson që situata të përmirësohet në të ardhmen. Ata bëjnë thirrje për “një bashkëpunim më të mirë midis vendeve të Ballkanit dhe për investime në infrastrukturën kufitare, në mënyrë që të shmanget përsëritja e situatave të tilla”.