430 kandidatë nënshkruajnë kontratat për policë të Kosovës
Katërqind e tridhjetë kandidatë janë përzgjedhur për vijimin e trajnimeve teorike dhe praktike për policë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Në mesin e tyre, 30 përqind janë femra, ndërsa, 26 minoritete. Në këtë konkurs kishin aplikuar 17 mijë e 620 kandidatë.
Fjolla Morina 28 vjeçare, që nga e hëna do të vijojë trajnimet teorike në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Morina është një nga 430 kandidatët potencialë për Polici të Kosovës.
Ajo për KosovaPress ka thënë se që nga prilli i vitit të kaluar, kur edhe kishte filluar procesi i aplikimit për Polici të Kosovës, kishte kaluar në vështirësi të shumta.
Ajo tha se ky proces ishte mjaft stresues, mirëpo u shpreh se me zotësi do të mundohet të mbrojë vendin dhe uniformën e Kosovës.
Njëjtë thotë edhe Bujar Shala, i cili tregon se është mjaft i emocionuar për sfidën që do e kalojë.
Zëdhënësi për media në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha ka treguar për KosovaPress se sa është numri i përgjithshëm i kandidatëve potencial të zgjedhur për Polici të Kosovës.
Që nga 21 janari do të fillojnë trajnimet teorike për të gjithë këta kandidatë, të cilat do të zgjasin shtatë muaj, e më pastaj trajnimet praktike 2 vjeçare.
Hoxha ka folur po ashtu edhe për masat afirmative që janë marrë gjatë këtij procesi.
Bujar Shala e Fjolla Morina, ndjehen të emocionuar për këtë proces që do të fillojnë gjatë javës së ardhshme. Ata madje zotohen, se gjatë këtyre dy viteve do të mundohen, të arrijnë të marrin aftësitë e duhura, që në të ardhmen t’i shërbejnë Kosovës.