Qeveria i përgjigjet VV-së: Shpronësimet ishin konform ligjit
Lidhu me polemikat e ngritura rreth çështjes së shpronësimit në Hade dhe Shipitullë, e së fundi edhe akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje!, në drejtim të Qeverisë Haradinaj, ka reaguar këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi.
Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, përmes telefonit për “KosovaPress”, ka mohuar të jenë bërë shpronësime të paligjshme ose të kenë përfituar uzurpues apo persona politikë, duke thënë se gjithçka ka shkuar sipas ligjeve. “Çështja e shpronësimit është bërë konform ligjeve në fuqi, dhe vendimi i Qeverisë e ka debllokuar prodhimin e energjisë në vend dhe i ka hapur rrugë pavarësimit të plotë të Kosovës në aspektin energjetik”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje! përmes një konference për media ka ngritur një sërë pyetjesh për kryeministrin Ramush Haradinaj, ku ka kërkuar nga ky i fundit që të bëjë publikimin e listave të të shpronësuarve si dhe titujt e pronësisë. Vetëvendosje!, ka akuzuar qeverinë se në mungesë të hapave konkretë lidhur me këtë çështje, po i hap rrugë “mafisë së energjetikës”.