437 kandidatë iu nënshtruan provimit me shkrim të Noterisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se është përmbyllur me sukses një ditë e gjatë e organizimit të provimit të Noterisë.
“Sot, 437 kandidatë (prej të cilëve dy janë larguar për shkak të shkeljes së rregullave), i janë nënshtruar Provimit me shkrim të Noterisë.Para pak çasteve ka përfunduar i gjithë procesi i Provimit me shkrim, proces ky i karakterizuar si i rregullt, ashtu që gjithçka ka shkuar sipas planifikimit për mbarëvajtjen e provimit”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Ajo ka theksuar se rëndësia e këtij procesi për të ardhmen e sistemit noterial të Republikës së Kosovës është e madhe, sikundër edhe pesha e përgjegjësisë tonë dhe personave të angazhuar në këtë proces.
“Falenderoj kryetaren dhe anëtarët e Komisionit për përkushtimin dhe profesionalizmin e po ashtu stafin mbështetës nga Ministria, policia dhe SHKK. Kandidatëve ju uroj suksese dhe i sigurojë që deri në fund do të vazhdojmë angazhimin që procesi të jetë meritorë”, ka theksuar ministrja Haxhiu.