440 herë munguan deputetët gjatë sesionit pranveror, kërkohet ndëshkimi i mosprezencës

13 gusht 2021 | 11:34

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë munguar 440 herë në seancat e institucionit ligjvënës gjatë sesionit pranveror të punës dhe për këtë po kërkohet ndëshkim.

Kështu ka bërë me dije Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në raportin e monitorimit të Kuvendit të Kosovës (KDI).

Derisa ka theksuar si problem mungesën e deputetëve në seanca, Angesa Haxhiu nga KDI-ja, ka thënë se Kuvendi gjatë sesionit pranveror është karakterizuar me ritëm të ngadaltë të punës, por me performancë më të mirë.

“Një problematikë është mungesa e shumtë e deputeteve në seanca. Deri në fund të muajit korrik deputetet kanë munguar 440 herë. Komisionet parlamentare kanë treguar performacën më të mirë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, është shprehur ajo.

Haxhiu, po ashtu ka treguar se kësaj radhe është shënuar numër më i vogël i seancave të mbajtura me gjithsej 23 të tilla ku prej tyre 16 kanë qenë të rregullta, katër të jashtëzakonshme dhe dy solemne.

“Kuvendi ka shënuar numër më të ulët të ligjeve të miratuara prej tyre vetëm 7. Qeveria ka proceduar vetëm 27 projektligje. Në mungesë të votave të mjaftueshme dy marrëveshje ndërkombëtare kane arritur të votohen vetëm pas tentativës së tretë”, ka thënë Haxhiu.

Gjithashtu, Haxhiu, ka thënë se këtë kohë të punës së Kuvendit e ka karakterizuar shkarkimi i bordeve.

“Sesionin pranveror e ka karakterizuar shkarkimi i bordeve që ka shkaktuar mospajtime mes pozitës e opozitës, ku janë shkaktuar gjithsej 4 borde”, ka përfunduar ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë aktorja e njohur Sabina Toziya e serialit…