450 të burgosur kërkojnë faljen e presidentit
Mijëra të burgosur, vuajnë dënimin në burgjet e Kosovës, për veprat e bëra. E sa herë vjen ndonjë festë, sytë e tyre drejtohen nga Presidenti i vendit. Bile, edhe këtë vit, 450 prej tyre kanë bërë kërkesë për falje të dënimit. Kjo u bë e ditur, përmes një përgjigje me shkrim, nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Ndërkohë, sipas rregullores për faljen e personave e dënuar, personave që iu mohohet kjo e drejtë, janë ata që paneli për lirim me kusht i ka refuzuar lirimin me kusht, atyre që akuzohen me veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, veprat penale kundër njerëzimit si dhe personave që me ligj të veçantë iu ndalohet falja.
Ndërkaq, në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), thonë që edhe në rastet kur është shfrytëzuar kjo e drejtë nga presidentët, falja ka qenë simbolike.
“Numri i personave të privuar nga liria, që kanë përfituar nga falja e presidenteve. Ka qenë shumë i vogël. Mirëpo, edhe ato falje që janë bërë, kanë qenë simbolike”, ka thënë Valentina Demolli nga KMDLNJ.
Sipas Demolli – Koliqit, ai që më së shumti e shfrytëzoi këtë të drejtë, ishte presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi.
E nga gjithë kjo, sipas KMDLNJ-së, është Shërbimi Korrektues i Kosovës, që po e pëson më së shumti.
Ndërkohë, edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thonë se falja e të dënuarve, është një e drejtë që presidenti mund ta shfrytëzojë, por jo e obligueshme.
Por, sipas Betim Musliut nga ky institut, edhe atëherë kur është shfrytëzuar kjo e drejtë, janë bërë shkelje të mëdha.
I tillë është rasti kur të dënuarit u falen nga dy ish – presidentet, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Sejdiu.
“Janë falur të dënuar për trafikim me qenie njerëzore. Po ashtu, vrasje që kanë qenë me kundërshtim me ligjin për falje, ku pesha e krimit është një kriter që duhet të vlerësohet. Bazuar në praktikat e deritashme, rezulton”, ka thënë Muslii.
Për këtë, “T7”, ka pyetur edhe në Presidencën e Kosovës, nëse presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka në plan të falë të dënuarit, apo nëse është formuar ndonjë komision për këtë çështje,
Por, këta të fundit, nuk i kanë kthyer një përgjigje televizionit. Ndërkohë, brenda vitit, nuk ka ndonjë datë të caktuar në të cilën falën personat e dënuar nga ana e presidentit. Por, faljet e tilla në Kosovë, kryesisht ndodhin në fund të vitit, apo me data të rëndësishme si ajo e 17 shkurtit.
Ndryshe, vitin e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, ua ka shlyer disa muaj nga dënimi, 4 të dënuarve. Kurse, i pari që e nisi këtë, ishte ish-presidenti Fatmir Sejdiu në vitin 2009, me rastin e shënimit të njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës./T7