46 grante janë duke u realizuar në komunën e Mitrovicës
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka drejtuar të hënën mbledhjen e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i Bordit dhe drejtorive komunale.
Drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka njoftuar ekzekutivin se vendimi për bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2020 në vitin 2021 për Komunën e Mitrovicës është buxhetuar dhe pritet që alokimi të bëhet gjatë ditëve në vijim.
Ndërsa, drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj-Barani, ka informuar të pranishmit lidhur me procesin e vaksinimit në Komunën e Mitrovicës.
Ajo ka thënë se procesi i vaksinimit është duke vazhduar sipas planit të vaksinimit të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Aktualisht kemi pranuar 570 vaksina ‘AstraZeneca’ si dhe 90 vaksina ‘Pfizer’. Vaksinimi ka vazhduar edhe përgjatë ditëve të vikendit, ku të shtunën janë vaksinuar 127 qytetarë ndërsa të dielën janë vaksinuar 110 qytetarë”, ka thënë Hasanaj-Barani.
Drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku, ka shpalosur informata mbi realizimin e projektit të komunës me organizatën “Chatar Charity”, duke theksuar se janë 46 grante që janë duke u realizuar, në vlerë prej 56,555 mijë euro.