49 persona të vdekur nga sulmet në dy xhami në Zelandën e Re
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka thënë se 49 persona kanë vdekur dhe 20 të tjerë janë plagosur rëndë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në dy xhami në qytetin Kristçërç.
Ajo e ka përshkruar këtë ngjarje si sulm terrorist dhe një nga “ditët më të rënda” për këtë vend.
Ajo ka thënë se katër persona tani janë në mbajtje, të cilët dyshohet se kanë pikëpamje ekstremiste.
“The Sideny Morning Heraled” ka raportuar se në videon e njërit prej sulmuesve të dyshuar dëgjohen dy këngë, njëra serbe dhe tjera gjermane.
Sipas kësaj gazete, kënga serbe i referohet “kasapit të Bosnjës”, Radovan Karaxhiq, ish-liderit të serbëve të Bosnjës, i cili është dënuar për krime lufte.
Komisionari policor, Mike Bush, ka paralajmëruar se të dyshuarit e tjerë mund të jenë në arrati.
Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, ka thënë se një nga të arrestuarit është qytetar australian.
Ai e ka përshkruar të dyshuarin e sulmit si “terrorist të dhunshëm të ekstremit të djathtë”.
I dyshuari australian besohet të ketë publikuar një manifest, në të cilin ka bërë të ditura qëllimet e tij, të bazuara në ideologji antiemigrante dhe të ekstremit të djathtë.
Ai po ashtu duket se ka publikuar disa video në rrjetin social, Facebook, derisa ka kryer sulmin në xhami.
Policia i ka bërë thirrje publikut që të mos shpërndarje këto pamje “jashtëzakonisht shqetësuese”.
Rrjeti social “Facebook” ka thënë se ka bllokuar llogaritë e sulmuesit në dyshuar në Facebook dhe Instagram dhe se është duke punuar që të largojë të gjitha pamjet që kanë rrjedhur nga ai postim.