Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri nuk e sheh si opsion dorëheqjen

28 korrik 2023 | 14:26

Dy kryetarët e dy komunave veriore të vendit, ai i Zubin Potokut dhe i Zveçanit, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, të cilët vijnë nga PDK-ja, nuk po e shohin si opsion aktualisht dorëheqjen nga detyrat.

Madje Zeqiri thotë se tani nuk është situata për zgjedhje të parakohshme.

“Dorëheqjen nuk e kam si opsion, duhet analizuar fillimisht situatën, ose duhet të ketë zgjedhje sipas procedurave ligjore”, ka thënë Zeqiri.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

Për këtë, Zeqiri thotë duhet të ketë një dakord mes qeverisë, partisë dhe ndërkombëtarëve.

“Mund të jetë një opsion, mirëpo unë nuk mendoj për një palë zgjedhje të parakohshme. Fillimisht duhet me pasë dakordim qeveri-parti-ndërkombëtarët”, u shpreh Zeqiri në një prononcim për Klankosova.tv.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundmi ka thënë se zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës nuk mund të zhvillohen pa u shtensionuar situata në atë zonë. Por, ai shtoi se Kosova është duke i kryer përgatitjet për zgjedhje të parakohshme në këto katër komuna.

Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Megjithatë, BE-ja ka thënë se preferon dorëheqjen e kryetarëve në komunat veriore në mënyrë që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen sa më shpejt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ermal Doblibara nga Gjakovë shpall të pavlefshme dëftesat e klasës:…