5 000 punëtorë të KEK-ut do të përdorin shërbimet më të reja të Vala-s
Ndërmarrja më e madhe energjetike në vend, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) i është bashkuar valës së kalimeve masive të institucioneve shtetërore, kompanive publike, bizneseve private, universiteteve dhe qytetarëve, në operatorin me ofertat më joshëse në treg, Vala.
Kjo është bërë e mundur pas nënshkrimit të marrëveshjes nga kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të KEK-ut, Njazi Thaçi.
Me anë të kësaj marrëveshje afër 5 000 punëtorë të KEK-ut, përfshirë edhe menaxhmentin, do të kenë në telefonat e tyre shërbimet më të reja të Vala-s dhe do të përfitojnë nga rrjeti i shpejtë i internet 4G, që kësaj korporate do t’ua lehtësojë në masë të madhe sistemin e operimeve teknologjike.
Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli, ka bërë me dije se është tejet i entuziazmuar për nënshkrimin e kontratës me KEK-un duke thelluar edhe më tepër këtë partneritet reciprok.
“Të gëzon fakti që edhe një ndërmarrje e madhe me mijëra punëtorë, siç është KEK-u i bashkohet Vala-s, gjë që përbën, njëkohësisht, një kënaqësi dhe obligim për ne që produktet dhe rrjetin tonë t’i pasurojmë dhe forcojmë edhe më tutje në dobi të të gjithë atyre që i besojnë operatorit publik, Vala dhe shërbimeve të saj”, ka deklaruar Begolli.
Ndërkohë ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të KEK-ut, Njazi Thaçi, ka thënë se nënshkrimi i kontratës mes këtyre dy ndërmarrjeve paraqet një bashkëpunim dhe mirëbesim të vazhdueshëm mes dy gjigantëve të ekonomisë së Kosovës.
“Është e rëndësishme të thuhet se jemi shumë të kënaqur me shërbimet e VALA-s dhe kjo marrëveshje e sotme, është një tjetër dimension i thellimit të bashkëpunimit mes dy kompanive, në vazhdën e bashkëpunimeve që kemi pasur edhe në të kaluarën. KEK-u është korporata më e madhe në vend edhe nga aspekti kapital, edhe me numrin më të madh të punëtorëve, andaj me afër 5000 punëtorë do të jemi pjesë e shfrytëzimit të shërbimeve të Vala-s për shkak të ofertës së saj më të favorshme”, ka theksuar Thaçi.
Telekomi i Kosovës se fundi ka hedhur në treg oferta të ndryshme dhe shumë konkurruese për të gjithë konsumatorët duke mundësuar pako të shumëllojshme me biseda pa limit dhe internetin më të shpejtë.
/Epoka e re/