5 javë, 48 ekipe, 104 ndeshje – numrat dhe formati i Botërorit 2026

21 nëntor 2024 | 11:21

Do të jetë Kupa e Botës më e madhe ndonjëherë: 48 finalistë (në vend të 32 si deri më tani), 8 ndeshje për të ngritur trofeun (jo më 7), 5 javë nga ndeshja hapëse në Mexico City deri në finalen e New York (më parë ishte një muaj ). “Kanada-SHBA-Meksikë 2026” mund të ngjajë edhe me një luftë për mbijetesë, mes temperaturave jo miqësore e distancave të frikshme. Gjithsesi, si çdo Botëror tjetër, edhe ky i radhës pritet të jetë i ndërlikuar dhe i bukur.

48 finalistë – Nga ana tjetër, nuk jemi më në vitin 1930, kur vetëm 13 kombe u regjistruan në të, me ftesë, për kompeticionin e parë në Uruguaj. Gjithnjë e më shumë kombëtare nga 6 kontinentet e futbollit po dalin në plan të parë dhe duan të marrin pjesë në fazën finale për të rritur “valencat” e tyre. 48 janë një numër “monstruoz”, por legjitim, sepse mbron si gjithmonë shenjtërinë e kadencës 4-vjeçare që vetë FIFA e kishte vënë në dyshim vite më parë.

Tri makro rajone – Ndeshja hapëse do të luhet të enjten e 11 qershorit 2026 në Mexico City. Starti në “Azteca”, stadiumin legjendar ku u luajt Itali-Gjermani 4-3, “ndeshja e shekullit”. Në fushë, atë ditë, padyshim do të jetë Meksika, e cila bashkëorganizon turneun me SHBA (ku do të luhet finalja më 19 korrik), dhe Kanadanë. Një tjetër rekord për këtë kompeticion, i pari me tri vende pritëse. Amerika e Veriut do të ndahet në tri makro-rajone për të shmangur udhëtimet stresuese ndërkontinentale për ekipet. Rajoni perëndimor përfshin Los Angelos, San Francisko, Seattle dhe Vancouver. Rajoni qendror, ose do të ishte më mirë të themi jugore, përfshin Dallasin, Guadalajara, Hjuston, Kansas City, Mexico City dhe Monterrey. Në fund, rajoni lindor përfaqësohet me Atlantën, Bostonin, Miami, Nju Jork, Filadelfia dhe Toronto.

Grupet – Fillimisht, 48 finalistët duhej të ndahen në 16 grupe me nga 3 skuadra, me dy të parat që kualifikoheshin për në raundin tjetër (1/16 finale). FIFA ka vendosur për një ndryshim në progres, për t’i lejuar të gjithë të luajnë të paktën tri ndeshje. Prandaj u kalua në një formulë më klasike: 12 grupe me nga 4 kombëtare. Dy më të mirat do të kualifikohen direkt në 1/16 finale. Atyre do t’u bashkohen 8 skuadrat më të mira të vendeve të treta, siç nuk ka ndodhur që nga “USA ‘94”. Pas fazës së grupeve kalohet me eliminim direkt nga 1/16 deri në finale. Në total, 104 ndeshje (40 më shumë se në Katar).

Europa “e vogël” – Provat e Kupës së Botës 2026 do të zhvillohen një vit më parë, me Botërorin e diskutueshëm për Klube, e planifikuar në SHBA nga 15 qershori deri më 13 korrik 2025. Dy skuadra italiane u kualifikuan, Interi dhe Juventusi, me shortin e grupeve që do të hidhet më 5 dhjetor në Miami, teksa ka ende shumë të panjohura për kalendarin, oraret, çmimet, por kjo është histori tjetër. Duke u rikthyer në Botërorin “e vërtetë”, e vetmja gjë që nuk është bindëse duket pjesëmarrja e Europës: vetëm 16 kombëtare nga “Kontinenti i Vjetër”, ku luhet futbolli elitar në nivel klubesh, por jo vetëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Uashingtoni ka udhëhequr një politikë të vazhdueshme ndaj Ballkanit Perëndimor…