5. Kosova dhe Evropa
Filozofia dhe etika politike e Ukshin Hotit (3)
Prof. ass. dr. Sabri Kiçmari
Ukshin Hoti është i pari studiues në ambientin tonë shoqëror që e ka përdorur nocionin “evropeizimi i Kosovës” në vitin 1980 në revistën “Përparimi”. Pra, shumë më herët sesa të fillonte demokracia në Kosovë ai do të deklarohej një evropian i bindur. Ai e koncepton Evropën e Bashkuar jo si rivendosje “të universalizmit kishtar të mesjetës”, por “universalizim të të drejtave të njeriut dhe të qytetarit si dhe të parimeve demokratike në Evropë” (Hoti 1995: 85). Pra Evropa e bashkuar do të jetë një Evropë e re, “e bashkuar mbi baza të dialogjikës”, me intencë të qartë të ruajtjes së identitetit kombëtar.
Përkundër një klime të përgjithshme mosbesimi, Hoti do të ftonte për kujdes ndaj Evropës, duke shkruar: “Evropa e tij (e popullit) nuk është ajo e lugetërve të kohëve të shkuara, por është Evropë e gjeneratave të ardhshme që do të dinë t’i lidhin fijet e holla, të padukshme, të krenarisë kombëtare, të bujarisë dhe të fisnikërisë me rrezet e holla të universit, të kohës dhe të perspektivës” (Hoti 1997: 18). Ai ishte i bindur se Evropa e ka tejkaluar kriterin religjioz në përcaktimin e statusit të popujve dhe shpresonte se nëse BE dëshiron të jetë model i barazisë së popujve, “shqiptarët po ashtu kanë shanse reale të jenë të përkrahur në kërkesat e tyre legjitime”. Vetëm pak kohë më vonë, ky konstatim i Ukshin Hotit do të vërtetohej katërçipërisht: Evropa Perëndimore dhe SHBA do të ndërmerrnin një fushatë ajrore 78-ditëshe në mbrojtje të popullit të Kosovës nga dhuna e policisë dhe ushtrisë serbe (Weller 2009: 261). Dhe më pas, shumica absolute e vendeve perëndimore do ta njihnin Republikën e Kosovës, pas shpalljes së saj në vitin 2008, para se këtë gjë ta bënin disa nga vendet e Lindjes.
Shembulli i Gjermanisë Ukshin Hotit do t’i shërbente për analiza të strukturës së ardhshme të Evropës. Ai e ka studiuar me kujdes diplomacinë gjermane përgjatë procesit të bashkimit të Gjermanisë. Plani 10 pikësh i kancelarit gjerman Helmut Kohl e parashihte bashkimin e Gjermanisë si pjesë të Bashkimit Evropian, madje duke u hapur perspektivë edhe vendeve tjera të Evropës së Lindjes për bashkim në BE (Kohl 1989). Dhe, edhe idenë e tij të bashkimit të shqiptarëve, Ukshin Hoti e strukturon në akord me këtë logjikë veprimi diplomatik. Gjermanët luftonin për bashkimin e Evropës me qëllim të bashkimit të Gjermanisë. Ata “duke e identifikuar ndarjen e Gjermanisë me ndarjen e Evropës, rrugëdaljen e kërkonin në theksimin e një identiteti pan-evropian” (Hoti 1995: 78).
Hoti i konsideron civilizimin dhe identitetin evropian si unitet i të shumtave. Në fakt debati në lidhje me civilizimin dhe identitetin evropian po vazhdon edhe sot. Civilizimi origjinal i bazuar mbi një kulturë hebreito-kristiano-greko-latine, të karakterizuar nga humanizmi, racionalizmi, laicizmi dhe demokracia, është duke u luftuar ashpër nga iliberalizmi, urrejtja ndaj të huajve dhe radikalizmi i djathtë (Zakaria 1997). Megjithë këtë luftë të ashpër politike, humanizmi dhe iluminizmi evropian pritet të ngadhënjejë përballë projektit iliberal.
Raporti i shqiptarëve me religjionin dhe paragjykimet perëndimore rreth tyre zënë një vend të rëndësishëm në përsiatjet teorike të Hotit. Serbia ua ka mveshur shqiptarëve fundamentalizmin islam si një hipotekë. Natyrisht që një hipotekë e tillë është e padrejtë. Në kohën e socializmit në Shqipëri u mundua që hipoteka e tillë të shmangej përmes ateizmit. Hoti mendon se këtë hipotekë nuk mund ta heqim vetëm duke e theksuar areligjiozitetin e njohur shqiptar, pasi që religjioni konsiderohet si arritje e qytetërimit, por “duke u mbështetur në traditën e rrallë të tolerancës fetare ndër shqiptarë” (Hoti 1995: 84). Mund të konstatojmë madje, se raportet ndërreligjioze ndër shqiptarët janë përtej tolerancës, janë një lloj vëllazërie ndërreligjioze e llojit të rrallë.
- Kombi, shteti dhe klasa
Raportet në mes të shtetit dhe kombit nuk duhet parë me llupë dihotomike. Ukshin Hoti kritikon trendët për t’u kujdesur që të tejtheksohet realizimi i interesave të shtetit përballë atyre të kombit. Vënia në raport dihotomik të interesave të shtetit dhe atyre të kombit ishte veti e teorive që buronin nga vendet e real-socializmit. Kjo ndikohej jo vetëm nga përbërja multinacionale e shtetit jugosllav dhe atij sovjetik, „por edhe nga orientimi ideologjik, sipas të cilit shteti ishte në funksion të klasës e jo të kombit“ (Hoti 1995: 19).
Në fakt, filozofi gjerman Immanuel Kant duke shpjeguar nocionin komb pati marrë parasysh dy tipare kryesore – bashkësinë qytetare të njerëzve dhe prejardhjen e tyre (Kant 1956: 658). Edhe sipas sociologut Max Weber “Ideja e kombit përfshin bashkësinë me prejardhje dhe ngjashmëri qenësore të përbashkët” (Weber 1980: 528). Weber nuk i sheh në raport dihotomik mes vete shtetin dhe kombin. John Stuart Mill, një nga përfaqësuesit më eminent të liberalizmit, si askush tjetër i kushton rëndësi ndjenjave të ndërsjella në mes njerëzve si elementë konstituues të kombit: “Një ndjenjë e tillë e bashkimit kombëtar me njëri-tjetrin mund të rrjedhë nga arsye të ndryshme. Mund të rrjedhë nga raca dhe prejardhja e njëjtë; përbashkësia e gjuhës dhe religjionit e nxisin këtë në mënyrë vendimtare. Edhe kufijtë gjeografikë paraqesin një arsye për paraqitjen e ndjenjës kombëtare. Por, në këtë kuptim, më së shumti ndikon një e kaluar e përbashkët politike: ekzistenca e një historie kombëtare dhe përbashkësia e kujtimeve që rrjedhin nga ajo, ndjenjat kolektive të krenarisë dhe të marres, të gëzimit dhe të vuajtjes, të cilat lidhen me ngjarjet e të kaluarës” (Mill 1971: 2419).
Ukshin Hoti e preferon njëjtësimin e interesave të shtetit me ato të kombit. Edhe ai konstaton se “kombin e përbën pozita e tij gjeografike, pasuritë natyrale, kapacitetet industriale, teknologjia, morali dhe elemente tjera të ngjashme. Në të vërtetë, kombin e përbëjnë të gjithë elementët që e përbëjnë shtetin” (Hoti 1995: 22). Dhe, Ukshin Hoti nuk ka asnjë hezitim në përsiatjet e tij teorike, për të vënë interesin e kombit para atij të klasës: “Shteti i identifikuar me kombin, shteti-komb, sipas teorikëve të botës perëndimore, ndodhet në funksion të interesave kombëtare, në funksion të kombit dhe jo të klasës” (Hoti 1995: 25).
Ukshin Hoti polemizon edhe me ndonjë tezë frojdiste rreth reaksioneve instinktive të individit. Pyetja polemike e Ukshin Hotit në këtë rast është: “Si shpjegohet gatishmëria e njerëzve-individë që ta flijojnë jetën e tyre për një ideal ose për atdhe?” Po e kontekstualizojmë pyetjen e Ukshin Hotit: Si shpjegohet përgjigja lapidare e Fehmi Lladrovcit në pyetjen e gazetarit, nëse do të ishte në gjendje të vdiste për Kosovën?
– “Gjithqysh. Me dëshirën më të madhe. Më e shtrenjtë është liria se jeta…Ai do të ishte fati im më i madh ….”
Në rrafshin teorik këtë gatishmëri për vetëmohim patriotik e shpjegojnë dy filozofë bashkëkohorë: Charles Taylor dhe Alasdair MacIntyre. Taylor profetizonrolin e patriotizmit edhe për të ardhmen si një “kështjellë të fortë të lirisë… pa mundur të zëvendësohet me diçka tjetër” (Taylor 1995: 122). Sipas MacIntyre, patrioti i përkushtohet “veçse një mënyre të caktuar të lidhjes së një të kaluare, e cila e ka veshur atë me një identitet të dallueshëm moral dhe politik, me një të ardhme për këtë projekt që është kombi i tij dhe që ai ka përgjegjësinë për ta sjellë në jetë” (MacIntyre 1995: 92).
Në kontekst të raporteve shtet-komb, Ukshin Hoti kritikon Bashkimin Sovjetik, i cili synonte të krijojë artificialisht një komb sovjetik. Ai i zhvesh tendencat asimiluese rusomëdha në BRSS përmes instrumentalizimit të gjuhës ruse si mjet politik, duke i dhënë prioritet klasores mbi nacionalen dhe internacionales mbi nacionalen, me qëllim të asimilimit dhe realizimit të interesave rusomëdha. Synimet e tilla për formimin e kombit-shtet sovjetik e kishin vetëm një qëllim – atë të rusifikimit të nacionaliteteve të tjera sovjetike dhe asimilimin e tyre: “Ideologjia komuniste dhe teoria marksiste në këtë mënyrë ishin vënë në shërbim të aspiratave dhe interesave vitale të kombit rus” (Hoti 1995: 61). Por, siç edhe pritej, një projekt i tillë i krijimit të kombit artificial do të dështonte dhe do të thyhej si një flluskë sapuni pas rënies së sistemit njëpartiak në vitin 1991.
- Viti 1981 si moment kyç në historinë tonë të re
Në një ligjëratë të mbajtur më 14 prill 2011 në Akademinë Diplomatike të Vjenës, me titull “Rruga e integrimit të Republikës së Kosovës drejt BE”, pata konstatuar se “gjatë Luftës së Ftohtë ka pasur tri momente, të cilat i dëshmuan opinionit publik ndërkombëtar, se raportet sociale, nacionale dhe ndërshtetërore në dhe mes shteteve të Bllokut të Lindjes, përkatësisht, shteteve socialiste, nuk ishin të drejta. Dy nga këto momente – Pranverën e Pragës të vitit 1968 dhe Lëvizjen e Solidarnoshçit të vitit 1980 – i ka identifikuar si të tilla teoria politike bashkëkohore ndërkombëtare, por jo edhe momentin e tretë – Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, me gjithë faktin se ato ishin një shenjë e parë e një lëvizjeje për liri të shumë kombeve nga ish-RSFJ dhe ish-Bashkimi Sovjetik. Në përfundim të këtij procesi lirie u krijuan një numër i konsiderueshëm shtetesh të reja” (Kiçmari 2011). Prandaj, viti 1981 për botën shqiptare mund të konsiderohet si vit me histori, ose edhe më qartë: vit i kthesës historike.
Duke e rilexuar veprën e Ukshin Hotit, arrita të konstatoj se pikëpamjet e mia përputhen plotësisht me ato të Ukshin Hotit. Ai në analizat e tij teorike e koncepton si moment kyç në historinë tonë të re vitin 1981. Ai shkruan se shqiptarët në vitin 1981 “vendosën ta merrnin fatin e tyre në duart e veta, dhe të vetmuar, por të vendosur, u nisën drejt Evropës!” (Hoti 1995: 13). Në argumentimin e kërkesës për Republikën e Kosovës ai është decidiv: “Republika e Kosovës, si do që të duket, mund të konsiderohet zgjidhje e pjesshme, paliative e çështjes shqiptare. Mirëpo zgjidhjet paliative të çështjeve të mëdha mund të konsiderohen dhe janë cilësi e luftës politike dhe produkt i mençurisë së faktorit politik shqiptar në vlerësimin e tërësishëm të rrethanave, rrugës së zhvillimit të proceseve dhe synimeve përfundimtare të tyre“ (Hoti 1995: 58). Pra, Ukshin Hoti e koncepton idenë e Republikës së Kosovës jo si një zgjidhje e menjëhershme dhe definitive e çështjes shqiptare, pos si një fazë e ndërmjetme në afirmimin e proceseve integrative në Evropë. Prandaj, ai insiston në mënyrë kategorike në tri premisat e tij themelore: “a) për ruajtjen e integritetit territorial të Jugosllavisë; b) për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë; dhe c) për Republikën e barabartë të Kosovës në Jugosllavi” (Hoti 1995: 96).
Luftën tonë politike për Liri dhe Republikë Hoti e kupton edhe si të “motivuar nga nevojat reale të popullsisë shqiptare për zhvillim“ (Hoti 1995: 58).Republika e Kosovës, sipas tij, është realizim i njërit prej interesave vitale të kombit. Si e tillë, mund të qëndrojë vetëm në funksion të bashkimit por edhe të forcimit të raporteve të reja në gjithë territorin e Ballkanit, të Mesdheut dhe të Evropës” (Hoti 1995: 58-59). Viti 1981 është vit i kthesës historike për Ukshin Hotin, “është nyja, zbërthimi i së cilës e mundëson lëvizjen e drejtë të gjërave dhe të proceseve” (Hoti 1995: 59). Përse pikërisht viti 1981? Përgjigja e tij është hegeliane: “Sepse vitet tjera nuk e ndryshuan historinë. Të gjitha vitet i ndihmuan zhvillimit të historisë. Do të thoshim se vitet tjera i ndihmuan akumulimit të proceseve, rritjes së kuantitetit, por kërcimin kualitativ, vetë shndërrimin e kuantitetit në kualitet, e bëri vetëm viti 1981” (Hoti 1995: 60). Kërkesën për Republikë Ukshin Hoti e koncepton si kërkesë për evropeizim, përkatësisht, për barazimin dhe nivelizimin e zhvillimit me shtetet e zhvilluara të Evropës. Jetësimi i Republikës së Kosovës do të stimulonte proceset integrative në Evropë të vendeve të Evropës Juglindore.
Edhe pse në demonstratat e vitit 1981 kërkesa për barazi dhe republikë ishte shprehur edhe në formë të parullës luftarake “Republikë, kushtetutë – ja me hatër, ja me luftë”, pak veta e patën marrë seriozisht luftën si një mundësi reale. Por Ukshin Hoti bën një përjashtim. Ai është i vetëdijshëm sa i rëndësishëm është krijimi i ushtrisë, policisë, qeverisë etj. Luftën për Republikë ai e kupton si një luftë për ekzistencën e Kosovës, jo si konotacion gjeografik, por politik. Dhe mundësinë e luftës e parashikon në mënyrë pothuajse profetike: “Lufta nuk është perspektivë as për popullin shqiptar, por mundësitë për evitimin e saj nuk janë absolute” (Hoti 1995: 104). (Vijon)