5 mijë fëmijë të vitit të Pavarësisë, shënuan Ditën Olimpike 2018
Rreth 5 mijë fëmijë të lindur në vitin e Pavarësisë së Kosovës (2008), kanë shënuar sot Ditën Olimpike 2018.
Organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, aktiviteti në vrapim u mbajt për herë të parë në shtatë qendrat e Kosovës: Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Gjakovë, Pejë, Prizren dhe Ferizaj. Rreth 2500 fëmijë ishin të pranishëm në Prishtinë, të cilët vrapuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek Teatri. Tri vendet e para në konkurrencën e femrave i zunë: Medina Fejza nga shkolla “7 marsi”, që doli e para për të tretin vit, e dyta, Dea Halimi nga “Elena Gjika” dhe Medina Bilalli nga “Zenel Hajdini”, ishte e treta. Ndërsa tek djemtë, i pari doli Engjëll Shehu nga shkolla “Mileniumi i Tretë”, i dyti ishte Rin Ahmeti nga “Hasan Prishtina”, ndërsa pozitën e tretë e ndanë Eduart Haliti dhe Jon Ramadani të “Zenel Hajdinit”. Pas vrapimit, qindra fëmijë provuan për herë të parë edhe sportin e pentatlonit modern, ku u patën rastin të garojnë në disiplinën qitje me pistoletë llaserike. Për të gjithë pjesëmarrësit organizatorët ndanë medalje.
Në Gjilan ishin mbi 700 fëmijë
Masovitet pati edhe në Komunën e Gjilanit, ku për herë të parë KOK-u në bashkëpunim me drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport, si dhe Drejtorinë e Arsimit, organizoi Ditën Olimpike. Në të morën pjesë mbi 700 fëmijë. Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, e ka përshëndetur aktivitetin me lutjen që fëmijët të jenë punëtorë për ndërtim dhe zhvillim të vendit gjatë të ardhmes. Ndërsa, Vjollca Krasniqi, anëtare e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës, në fjalimin e saj ndër të tjera tha se këtë vit KOK-u ka zgjeruar shënimin e kësaj dite, me shpresë se në Gjilan dhe në komunat tjera do të bëhet aktivitet tradicional. Vendi i parë, dytë dhe i tretë nga dy gjinitë garuese kanë marrë medalje, kurse për të gjithë pjesëmarrësit janë ndarë diploma.
Në Gjakovë masivitet Ditës Olimpike i dha edhe prania e kryetarit të Komunës, Ardian Gjini
Krahas komunave tjera, në Gjakovë i pranishëm në shënimin e Ditës Olimpike ishte edhe kryetari i komunës, Ardian Gjini. Ai bashkarisht me sekretarin e përgjithshëm të KOK-ut, Shasivar Haxhijajn, përshëndetën rreth 300 fëmijë. Haxhijaj apeloi tek prindërit dhe mësuesit që t’i nxisin fëmijët e tyre të merren me sport. Në fjalën e tij, Gjini duke iu uruar suksese tha se dikush nga këta fëmijë do të bëhet kampion.
Vendin e parë në Gjakvoë e zuri, Glenis Dina, të dytin Ideal Plava, ndërsa të tretin Aulon Hoxha. Në konkurrencën e femrave, e para doli Viona Kida, e dyta, Arlinda Isufi, kurse vendi i tretë shkoi për Erjona Nuzën.
Fëmijët pushtuan sheshin e Mitrovicës
Rreth 300 filloristë nga disa shkolla të qytetit të Mitrovicës, të lindur në vitin eshpalljes së Pavarësisë së Kosovës, shënuan Ditën Olimpike 2018 nëMitrovicë. Në manifestim morën pjesë kryesuesi i Kuvendit Jeton Ujkani,Drejtori i DKRS-së Tafil Peci si dhe shumë familjar, mësimdhënës dheqytetarë të tjerë. Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka,ka thënë se sheshi i Mitrovicës është rrallë herë i bukur sikur sot, kur është i mbushur me plotë fëmijë. Në fund u ndanë edhe medalje për garuesit e vegjël në dy kategori, për meshkuj dhe femra. Vrapimi që u organizua nga Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me DKRS-në dhe Drejtorinë e Arsimit të komunës së Mitrovicës, u mbajt nga sheshi“Adem Jashari”, përgjatë sheshit “Mehë Uka” dhe deri tek sheshi “IsaBoletini.
Edhe Ferizaj e nis mbarë organizimin e Ditës Olimpike
Për herë të parë Dita Olimpike u shënua edhe në Ferizaj, ku morën pjesë mbi 200 fëmijë. I pranishëm ishte nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, si dhe anëtari i Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Avni Nuha, të cilët përshëndetën të pranishmit. Nuha tha se kjo ngjarje sportive do të mbetet e rëndësishme edhe për shkak të karakterit historik dhe si aktivitet unik. Pjesëmarrës ishin nxënësit e shkollave fillore të qytetit të Ferizajt, ndërsa u ndanë 20 medalje për 10 më të mirët. Aktiviteti u tha se do të jetë tradicional dhe këta fëmijë do të garojnë në vrapim edhe në vitet e ardhshme.
Prizreni gufoi me fëmijët e Pavarësisë
Sheshi i Prizrenit e njohur si Shadërvani gufoi me fëmijët e lindur në vitin e Pavarësisë së Kosovës (2018). 130 sosh të ndarë sipas gjinisë, vrapuan në gjatësi prej 550 metrave, nga Shtëpia e Bardhë drejt Shadërvanit. Të pranishmit i përshëndeti nënpresidenti i tretë i Komitetit Olimpik të Kosovës, Gazmend Maxhuni, njëherit kryetar i komisionit për organizimin e Ditës Olimpike, si dhe drejtori i Departamentit për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Prizrenit, Ehat Oreshka. Fituesit e vrapimit u shpërblyen me medalje nga KOK-u.
Mbi 600 fëmijë ishin në Pejë
Edhe Peja ishte pjesë e organizimit të Ditës Olimpike 2018. Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport të Pejës, mblodhën mbi 600 fëmijë në sheshin e Pejës. Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti, anëtarja e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, Shqipe Zogiani. Të parët që dolën në vrapim u shpërblyen me medalje.