Më 5 qershor organizohet aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”

09 maj 2018 | 16:53

Për nder të 5 Qershorit, Ditës Botërore të Mjedisit, organizata “Let’s Do It Kosova” do të organizojë aksionin e madh të pastrimit “Ta Pastrojmë Kosovën” në të gjitha komunat e Kosovës.

Aksioni i pastrimit i organizuar nga “Let’s Do It Kosova”, do të mbahet në kuadër të aktiviteteve të parapara nga një këshill i përbashkët që përbëhet prej Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimin Hapësinor dhe OJQ-ve mjedisore. “Tashmë, Let’s Do It Kosova ka filluar organizimin e këtij aksioni, i cili do të realizohet në bashkëpunim me Komunat e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, KMDK-në OJQ e grupe vullnetarësh nga e tërë Kosova, kompani të pastrimit të mbeturinave dhe kompani të shumta private që do të ofrojnë makineritë e tyre për largimin e mbeturinave gjatë aksionit. Ndërsa, kompanitë private si Scampa, Meridian e Dita do të ofrojnë mjete logjistike”, është thënë në njoftimin e “Let’s Do It Kosova”.

Kjo organizatë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që më 5 qershor të dalin në aksione, për largimin e mbeturinave nga deponitë ilegale, në mënyrë që të gjithë së bashku të japim kontribut për përmirësimin e imazhit të vendit.

5 qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ndërsa qëllim i kësaj dite është që të nxisë aktivitete dhe aksione për arritjen e ndryshimeve pozitive në mbrojtje të mjedisit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qyteti i Gjakovës ka përfunduar të mërkurën procedurat e binjakëzimit…