5 skuadra sigurojnë “play-off”-in, Hardeni vendos rekord në NBA
Shkon në 5 numri i skuadrave që sigurojnë një vend në çerekfinalet e “play-off”-it në NBA. Në Lindje, pas Milwaukee e Torontos është kualifikuar edhe Philadelphia, që mundi 118-114 Charlotte. Ndeshje me rivalitet dhe emocione, ku të dyja ekipet dueluan deri në fund për fitoren. 4 lojtarë të Philadelphia realizuan mbi 20 pikë (Simmons 28 pikë), duke bërë diferencën në fushë. Në sekondat e fundit fiton Brooklyn, që mundi 123-121 Sacramento, takim ku diferencën e bëri Russell, autor i 44 pikëve e 12 asistime.
Në Perëndim, 2 skuadrat e kualifikuara janë Golden State dhe Denveri. Kampionët në fuqi të NBA-së mundën 117-107 Minnesotan, ndeshje e dominuar nga basketbollistët e Warriors. Më i miri në fushë ishte Curry me 36 pikë, mbështetur edhe nga Thompson me 28, raporton “Telesport”. Pa probleme fiton edhe skuadra e Houstonit, në vendin e tretë në Perëndim, që mundi 121-105 Atlantan. Skuadra teksane u shkëput në pjesën e dytë dhe triumfoi falë 31 pikëve të Hardenit dhe 26 të Capela.
Hardeni shkruan historinë e NBA-së, pasi bëhet basktbollisti i parë që shënon mbi 30 pikë ndaj të gjitha ekipeve rivale (29) brenda një sezoni. Humbja e katërt radhazi për Lakersat, që zyrtarisht është jashtë zonës së “play-off”-it. Kalifornianët u mundën 115-101 nga Milwaukee, ndeshje e dominuar nga vendasit, me Middleton që realizoi 30 pikë. LeBron ishte sërish pushim dhe për Lakers u dallua Pope, autor i 35 pikëve. Fitojnë edhe Clippersat, që mundën 115-109 Indianan, takim që afron ekipin tjetër nga Los Anxhelosi me zonën e “play-off”. Gallinari me 24 pikë ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes.
Rezultatet
Charlotte – Philadelphia 114-118
Atlanta – Houston 105-121
Milwaukee – Lakers 115-101
Minnesota – Golden State 107-117
Sacramento – Brooklyn 121-123
Clippers – Indiana 115-109