5-vjetori i themelimit të KPP Priping
Klubi i Pingpongut Priping, një ndër klubet me aktive t pingpongut në Kosovë, ka shënuar sot 5-vjetorin e themelimit. Një rrugëtim që filloi si një ëndërr për të krijuar një vend ku fëmijët, të rinjtë dhe pasionantët mund të përqafonin sportin e pingpongut, sot është kthyer në një histori suksesi.
Në këto pesë vite, Priping ka arritur rezultate të mëdha. Klubi ka edukuar mbi 500 fëmijë me bazat e pingpongut, ka përfaqësuar kryeqytetin në garën prestigjioze Europe Trophy, ka fituar trofe të shumtë ekiporë dhe individualë, dhe ka organizuar evente të rëndësishme si Prishtina Open, një turne ndërkombëtar me mbi 300 pjesëmarrës nga 30 vende të ndryshme.
Përtej arritjeve sportive, Priping është dalluar edhe për kontributin e tij në komunitet. Klubi ka përkrahur kauza humanitare, duke ndihmuar viktimat e tërmetit në Kroaci dhe Shqipëri, duke dhuruar tavolinë pingpongu për SOS Fshatin, dhe duke mbështetur klinikën Onkologjike me maska. Ndër të tjera, klubi ka qenë pjesë e fushatave për ngritjen e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe ka organizuar evente për bizneset lokale, gjithmonë me qëllim promovimin e benefiteve të pingpongut.
Kryetari i klubit, Kastriot Orana, falënderoi të gjithë lojtarët, trajnerët dhe përkrahësit e klubit për kontributin e tyre në këtë rrugëtim. “Asgjë nga këto të arritura nuk do të ishte e mundshme pa pasionin e lojtarëve tanë të rinj, përkushtimin e trajnerëve si Elvedini, Ylli dhe Petriti, dhe mbështetjen e prindërve që na kanë besuar fëmijët e tyre,” tha Orana.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për Departamentin e Sportit në Komunën e Prishtinës dhe bizneset sponsorizuese dhe mediat, të cilët kanë qenë shtyllë e fortë në zhvillimin e klubit. “Kjo është vetëm fillimi,” theksoi ai. “Jemi të motivuar për të ndërtuar një të ardhme edhe më të ndritur, për të arritur rezultate ndërkombëtare dhe për të zhvilluar talente të rinj.”
Për Priping, këto pesë vite janë një dëshmi e përkushtimit dhe vizionit të tij për të promovuar sportin e pingpongut në Kosovë dhe më gjerë. Me këtë rast, klubi ka shpallur ambiciet për suksese të tjera dhe një angazhim të vazhdueshëm për të sjellë përmirësime në komunitetin sportiv.