50 mijë euro për stadiumin e Hanit të Elezit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Komunën e Hanit të Elezit dhe Komunën e Kaçanikut.
Gjatë vizitës në Komunën e Hanit të Elezit, u nënshkruan dy memorandume bashkëpunimi, ai i Rregullimit të Stadiumit dhe ai i Ndërtimit të Qendrës Kulturore.
Sipas memorandumit për Rregullimin e Stadiumit, MKRS-ja dhe Komuna do të investojnë financiarisht me nga 50 mijë euro, investim i cili do të kryhet gjatë vitit 2019. Ndërsa sipas memorandumit për Ndërtimin e Qendrës Kulturore, Ministria do të mbështet projektin financiarisht me vlerën financiare 250 mijë euro, investim i cili do të kryhet gjatë viteve 2019 dhe 2020, ndërsa Komuna për këtë projekt do të investojë 10 mijë euro, investim i cili do të kryhet gjatë vitit 2019.
Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi dhe kryetari Rufki Suma u shprehën të kënaqur me nënshkrimin e këtyre memorandumeve.
Ministri Gashi tha se ishte një kënaqësi e veçantë që takoi kryetarin Suma. Për nënshkrimin e dy memorandumeve të bashkëpunimit me Komunën e Hanit të Elezit ai tha: “Këto marrëveshje kanë për qëllim investimet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në komunën e Hanit të Elezit, si përkushtim i Ministrisë për të investuar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Në kuadër të kësaj jemi jashtëzakonisht të interesuar që edhe komunat e vogla që kanë buxhet të vogël t’i ndihmojmë në mënyrë që edhe të rinjtë edhe komuniteti artistik të përfitojnë prej këtyre investimeve”.
Ministri po ashtu foli edhe për dyshekët e dhuruar nga Ministria për klubet e sportit të mundjes. Ai tha se dhurimi i pajisjeve apo i dyshekëve për sportin e mundjes bëhet me qëllim që të gjithë sportistëve tu krijohen kushte më të mira që të kenë edhe hapësira dhe pajisje ku t’i organizojnë ushtrimet e tyre.
“Besoj që jemi duke bërë një punë të mirë në mbështetje të komunave dhe të gjitha kërkesave që na vijnë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, u shpreh ministri Gashi.
Ndërsa kryetari Suma falënderoi ministrin për vizitën e tij por edhe për nënshkrimin e marrëveshjeve për realizimin e projekteve që janë në interes të komunës. Po ashtu, kryetari Suma falënderoi ministrin dhe Ministrinë edhe për dhurimin e dyshekëve për zhvillimin e garave në sportin e mundjes.
Po ashtu, gjatë kësaj vizite, falënderues dhe mirënjohës për mbështetjen e ministrit Gashi u shpreh edhe Sylejman Shala nga Federata e Mundjes.
Ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, po ashtu vizitoi edhe Komunën e Kaçanikut. Gjatë kësaj vizite, ministri u prit nga kryetari i Komunës Besim Ilazi, ku pastaj bashkërisht inspektuan punimet në Palestrën e Sportit të qytetit.
Gjatë inspektimeve të punimeve, ministri tha se kjo palestër është një investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. “Qëllimi i kësaj vizite është inspektimi nga afër i punimeve por në të njëjtën kohë për të kërkuar edhe nga operatori ekonomik, nga kompania e cila po realizon punimet në këtë projekt që të intensifikoj punimet në mënyrë që këtë palestër sportive, këtë objekt gjigant që e investon MKRS-ja, ta kemi të gatshme në fillim të vitit 2019”.
“Ky bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Kaçanikut do të vazhdoj edhe më tutje dhe jemi bashkërisht këtu për ta konfirmuar bashkëpunimin por edhe në të njëjtën kohë edhe për të kërkuar që ky projekt të përmbyllet në një afat sa më të shpejtë”, theksoi ministri Gashi.
Në anën tjetër, kryetari Ilazi tha: “Patëm kënaqësinë ta kemi për vizitë ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Qëllimi i kësaj vizite ka qenë i inspektimeve të punimeve në Palestrën Sportive, një projekt i filluar mjaft herët por që s’ka arritur të përfundohet”.
Punimet në këtë palestër, kryetari i Komunës i vlerësoi si një projekt i harruar andaj falënderoi ministrin për vizitën dhe për kujdesin e tij duke thënë se vizita dhe kujdesi i ministrit kanë ndikuar në shtimin e dinamikës të punës.