50 protestuesit e arrestuar të opozitës dalin para gjykatës
50 të arrestuarit për protestën e dhunshme të 11 majit në Shqipëri kanë dalë para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Tre prokurorët Ervin Karanxha, Elidon Hyseni dhe Bledar Maksuti kanë kërkuar arrest me burg për 39 nga 50 të arrestuarit, ndërsa për 10 të tjerë kanë kërkuar detyrim paraqitje. Vetëm për një prej të arrestuarve prokurori ka kërkuar masën e sigurisë arrest shtëpie.
Avokatët Ledio Nuraj, Ivi Kaso dhe Artan Murruzi, kanë deklaruar në sallë se arrestimi i protestuesve është i paligjshëm, pasi për asnjë prej të dyshuarve s’ka prova, pasi sipas tyre policia ka paraqitur vetëm raporte shërbimi, të cilat nuk janë të harmonizuara dhe nuk përbejnë prova.
Avokatët kanë thënë se raportet e shërbimit nuk janë marrë në konsiderate në rastet e mëparshme të protestuesve të arrestuar.