500 000 euro pritet të kushtojnë zgjedhjet e 23 prillit në veri
Gjysmë milioni euro (497,398 euro) pritet të kushtojnë zgjedhjet e 23 prillit për kryetar të katër komunave (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) dhe dy kuvendeve të komunave (Leposaviq dhe Zveçan).
Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e KQZ-së të mërkurën në mesditë.
Sipas KQZ-së, kjo shumë pritet të jetë më e ulët për 59,085 euro. Buxheti i mëhershëm, i planifikuar nga KQZ-ja në vitin 2022, në kohën kur ishin shpallur këto zgjedhje, ishte në shumën 556,483 euro.
Nga KQZ-ja u bë me dije se ky buxhet do të jetë më i ulëti pas reduktimit të stafit për 15 zyrtarë dhe se gjatë rishikimit janë marrë për bazë kontratat e nënshkruara për furnizime dhe shërbime e të cilat kanë ndikuar në uljen e vlerës totale të kërkesës buxhetore.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së mori pjesë edhe anëtari më i ri i këtij institucioni, Alban Krasniqi, i cili u emërua para disa ditësh nga presidentja Osmani pas propozimit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, i cili do të zëvëndësojë anëtarin e deritashëm Alim Rama, i cili është zgjedhur sekretar i partisë së Albin Kurtit.