500 shtëpitë që do t’i ndërtojë Turqia, të dërguarit e Erdoganit nisin takimet në Tiranë
Turqia ka hedhur hapin e parë drejt konkretizimit të zotimit për të ndërtuar 500 banesa në Shqipëri pas tërmetit.
Ambasada e Turqisë në Tiranë ka bërë me dije se me udhëzim të presidentit Rexhep Taip Erdogan që këto shtëpi të ngrihet, dhe mundësisht sa më shpejt, ka zhvilluar takimin e dytë me delegacionin shqiptar të kryesuar nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Përmes një njoftimi në faqen e vet zyrtare në “Facebook”, misioni diplomatik turk ka theksuar se në takim është vendosur të përcaktohet toka e përshtatshme për 500 shtëpi që do të ndërtohen, por pa sqaruar ende se ku do të jetë saktësisht.
“Delegacioni ynë i përbërë nga Drejtoria e Administrimit dhe Banesave Publike kryesuar nga ambasadori Yörük, në zbatim të udhëzimit të presidentit Rexhep Taip Erdogan për ndërtimin e 500 banesave në Shqipëri, zhvilloi takimin e dytë me delegacionin shqiptar të kryesuar nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Në takim u vendos të përcaktohet toka e përshtatshme për 500 shtëpi që do të ndërtohen.”– shkruan Ambasada në krah të fotove të takimit. Dy ditë më parë, ambasadori i shteti turk, Murat Ahmet Yörük, u citua të pohonte se kanë ardhur në vendin tonë ekipet që do të bëjnë të gjitha studimet, dhe në bashkëpunim me qeverinë të ndajnë vendet dhe qytetet ku do të ndërtohen këto godina të reja për gjithë të prekurit nga tërmeti i fuqishëm që la pas dhjetëra viktima”, është thënë në njoftimin e Ambasadës turke. /TCh/