500 vende të reja për punë praktike për të rinj
Sot është lansuar iniciativa e punësimit të të rinjve për punë praktike për 500 praktikantë të cilët nga 1 dhjetori, nëpërmjet “Kosovo Generation Unlimited”, kanë nisur punën praktike në 53 entitete të sektorit privat.
Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, ka thënë se qëllimi i kësaj iniciative është forcimi dhe përmirësimi i lidhjes në mes të rinjve dhe mundësive ekzistuese përmes angazhimit në punë praktike, raporton “Epoka e re”.
“Si qeveri u zotuam se këtë iniciativë do ta mbështesim për vitin 2021 bashkërisht me ministritë e linjës dhe organizatat zhvillimore siç është Banka Botërore. Kjo iniciativë përfshinë koalicionin multi-sektorial më të madh në vend dhe është e para e këtij lloji në Kosovë. Një vlerësim i lartë duhet t’i jepet UNICEF-it dhe drejtorit të kësaj organizate në Kosovë, z. Murat Sahin, po ashtu edhe Kosovo CSR Network si dhe organizatës suedeze SIDA”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.