500-vjetori i Havanës, spektakël fishekzjarrësh për themelimin e kryeqytetit të Kubës (Video)
Paralajmërimet për shi nuk i kanë dekurajuar mijëra banorë të Havanës, të dilnin në shëtitoren “Malecon” buzë detit për të ndjekur një shou spektakolar fishekzjarrësh. Në këtë mënyrë, kubanët kanë festuar 500-vjetorin e kryeqytetit të tyre.
Fishekzjarrët kanë shpërthyer mbi Kalanë La Cabaña, e cila e ka ruajtur hyrjen e Gjirit të Havanës që nga vitet 1700.
Më herët, me qindra vendas i janë bashkuar autoriteteve të qytetit që ishin mbledhur në El Templete, monumenti i cili nderon aktin themelues të qytetit. Siç e do tradita, një numër banorësh kanë rrethuar tre herë pemën e Ceibës, duke prekur trungun e saj e duke kërkuar lumturi dhe pasuri.
Legjenda thotë se vendi përfundimtar për ngritjen e Havanës është gjetur pikërisht aty ku ndodhet kjo pemë, 16 nëntorin e vitit 1519, e që prej atëherë, Ceiba është kthyer në roje të traditës dhe kujtesës së qytetit.
Festimet kryesore për 500-vjetorin e kryeqytetit kuban janë zhvilluar të shtunën, ku është përfshirë edhe një galë përpara shkallëve të ndërtesës së Parlamentit me rreth 16 000 fishekzjarre, që janë lëshuar në të njëjtën kohë me tingujt e pianistit kuban, Frank Fernandez. /Top Channel/