505 nxënës të Prishtinës sfidojnë veten në garën e mbajtur në ISP
505 nxënës të klasave të pesta nga 24 shkolla të Prishtinës kanë marrë pjesë në garën “Prishtina IQ Challenge” të organizuar nga shkolla International School of Prishtina (ISP) në Marigona Rezidencë.
Në fundjavë në ambientet e shkollës ISP u mbajt një garë e diturisë “Prishtina IQ Challenge” ku 505 nxënës nga e gjithë Prishtina sfiduan veten e tyre me njëri-tjetrin në fushën e logjikës.
Vlen të theksohet se këta nxënës ishin më të mirët pasi fillimisht u përzgjodhën nga shkollat e tyre që përfaqësonin. Në përfundim të garës 80 nxënës fituan bursa ndërsa të gjithë morën certifikatë të pjesëmarrjes.
Drejtori i shkollës të ISP-së, Ayhan Alatas, ka thënë se tek këta të rinj sheh të ardhmen e ndritur që do të ketë Kosova.
“Shkollat tona vazhdimisht kanë organizuar gara nëpër qytetet e Kosovës dhe pjesëmarrja ka qenë me mijëra nxënës por këtë herë ka qenë e veçantë pasi është hera e parë që vetëm në një vend ku u mbajt testi morën pjesë 505 nxënës dhe këta ishin vetëm të klasave të pesta a. Kjo pjesëmarrje tregon qartë se puna jonë po shpërblehet dhe çdo ditë edhe më shumë shkolla jonë bëhet edhe më e madhe. Ne do ta vazhdojmë këtë traditë dhe vitet në vijim synojmë që të ketë edhe më shumë garues”, u shpreh ai.
Testi ka zgjatur 40 minuta dhe ka pasur 30 pyetje nga fusha e logjikës, ndërsa vendet e para përveç bursës u shpërblyen me Over Board, vendet e dyta përveç bursës me dron ,ndërsa vendet e treta përveç bursës edhe me tablet.
E Ayhan Alatas më tej ka shtuar se tashmë janë hapur edhe regjistrimet në ISP për vitin e ardhshëm shkollor dhe ka bërë edhe një herë thirrje për nxënësit që dëshirojnë të jenë pjesë e shkollës, të aplikojnë sa më shpejt pasi plotësohen vendet.
“Vizioni ynë është që pjesë e ISP të bëhen nxënësit më të mirë pasi këtu te ne janë kushtet optimale që ata ta zhvillojnë dijen e tyre. Natyrisht që tek një nxënës duhet vullnet që të mësojë por edhe kushtet janë pjesë thelbësore për zhvillimin e tij. Prandaj ne vazhdimisht i dërgojmë nxënësit tanë nëpër olimpiada ndërkombëtare dhe u mundësojmë kushtet me laboratorë, mundësi për gjuhë të tjera si gjermanisht e italisht pasi anglishtja tashmë tek ne është e zakonshme” , ka shtuar ai.
/Epoka e re/