51 shtëpi do të ndërtohen në Mitrovicë
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur të enjten në takim humanistin dhe njëkohësisht kryetarin e Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastratin, dhe bashkëpunëtorët e tij, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin me këtë shoqatë për ndërtimin e shtëpive për familjet që kanë nevojë.
Qëllimi i këtij takimi ishte të nënshkruhej një marrëveshje bashkëpunimi mes Komunës së Mitrovicës dhe Shoqatës Bamirëse ”Jetimat e Ballkanit” për realizimin e projektit për ndërtimin e 40 shtëpive për familjet skamnore të cilat nuk e kanë të zgjedhur çështjen e strehimit.
Përmes kësaj marrëveshje Komuna e Mitrovicës do të participojë me mjete financiare në shumë totale prej 200,000 mijë euro, si dhe ka siguruar pronën komunale për ndërtimin e të gjitha shtëpive për familjet në nevojë.
Kryetari Bahtiri ka vlerësuar kontributin e shoqatës dhe angazhimin e humanistit Kastrati me bashkëpunëtorët e tij, duke thënë se shoqata e tyre vazhdimisht ka ndihmuar shumë familje të Mitrovicës me pako ushqimore, ka ndarë bursa për studentët e familjeve skamnore dhe ka ofruar ndihmë mujore financiare për fëmijët jetimë.
Po ashtu pjesë e këtij projekti do të jenë edhe Lindrit Misini, pronar i lokalit Missini Sweets, së bashku me djemtë e Mitrovicës të cilët do të ndërtojnë 10 shtëpi për familjet që janë në nevojë.
Edhe kryetari Bahtiri gjatë këtij takimi ka theksuar se kësaj vepre madhështore të Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” dhe djemve të Mitrovicës do t’i bashkëngjitet edhe ai duke ofruar mjete financiare për ndërtimin e një shtëpie nga buxheti i tij.
Me këtë rast kryetari Bahtiri dhe humanisti Kastrati u dakorduan që bashkëpunimin mes Komunës dhe Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” ta ngritin në nivel institucional, në mënyrë që të përfshihet një numër sa më i madh i familjeve në nevojë.
/Epoka e re/