52.6% e mësimdhënësve thonë se vendimi i MAShTI-t ka pasur ndikim negativ në procesin mësimor
Organizata ETEA ka realizuar një matje statistikore gjatë muajit shtator të vitit 2023, për furnizimin me tekstet shkollore tek klasat 1-5 dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor në fillimin e vitit shkollor 2022/23, duke marrë tashmë të dhëna konkrete mbi situatën aktuale në shkollat fillore të Kosovës, pas vendimit të MAShTI për të ndryshuar procesin për furnizimin me tekste shkollore.
Për të parë se si qëndron situata në shkollat fillore të Kosovës – klasa 1-5 me furnizimin me tekste shkollore dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor, organizata ETEA, përmes metodës sasiore, ka grumbulluar të dhëna nga 506 respodentë – të gjithë mësimdhënës/e të ciklit 1-5 – prej komunave nga e gjithë Kosova, përjashtuar komunat me shumicë serbe.
Komunat me numrin më të madh të anketave janë Prishtina me 23.1% dhe Peja me 14.6%.
Në nivel klasash, numri më i lartë i respodentëve janë mësimdhënës/e të klasës së 5-të (23.7%), pasuar nga mësimdhënësit/et e klasës së 3-të me (21.3%).
Matjet nga të cilat dalin statistikat në fjalë janë kryer mes datave 14 dhe 22 shtator. Anketimi është kryer në formë elektronike.
Organizata ETEA mëson nga matjet e kryera se një muaj pas fillimit të vitit shkollor 2022/23, 70.6% e nxënësve/eve të Kosovës shkojnë në shkollë pa pasur në dispozicion të gjitha tekstet shkollore.
Mësimdhënësit/et në shumicë prej 52.6% konsiderojnë se vendimi i MAShTI ka pasur ndikim negativ në mbarëvajtjen e procesit mësimor, krahas 14.8% që konsiderojnë se vendimi ka pasur ndikim pozitiv.
Mungesa e teksteve shkollore te fëmijët lidhet me disa arsye, prej të cilave prijnë mungesa e teksteve shkollore nëpër libraritë e qytetit dhe problemet me transferimin e mjeteve financiare përmes platformës Kosova.
Lidhur me vendimin e MAShTI-t për të ndryshuar procesin e furnizimit me tekstet shkollore, 30.4% e mësimdhënësve/eve konsiderojnë se ministria duhet të vazhdojë subvencionimin e prindërve/kujdestarëve/eve për blerjen e teksteve, derisa 69.6% vlerësojnë se MAShTI duhet ta përmbyll këtë proces përmes procedurave të prokurimit.