
52 mijë VV-istë nuk ia besuan votën Kurtit
Në fushatë iu dha edhe epiteti “babë”, por jo të gjithë votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje i dhanë votë Albin Kurtit.
Në bazë të rezultateve të 96.05 % të vendvotimeve të numëruara deri në pasditen e së premtes, politikani që po e synon edhe një mandat për kryeministër ka marrë 52,273 vota më pak se subjekti që e drejton që nga themelimi.
Derisa Lëvizja Vetëvendosje prin e para në garën e zgjedhjeve të 9 shkurtit, me 330.321 vota, apo në përqindje 40.90%, Kurti aktualisht numëron 278.048 vota.
Se ka dallim mes numrit të votave midis subjektit në tërësi dhe liderit të listës, po del të jetë evidente në çdo parti, veçse më pak se tek kjo e para.
PDK numëron 179.986 vota apo 22.29%, teksa lideri i kësaj liste, Bedri Hamza ka 159.124.
21,453 vota më pak se subjektin të cilin e udhëheq ka edhe Lumir Abdixhiku, që numëron 119.268 teksa LDK në total shënon 140721 vota.
Sikurse me LDK e PDK, trend të njëjtë ka edhe AAK krahasuar me liderin e saj, Ramush Haradinaj.
Hardinajn e kanë votuar 40.105 veta derisa koalicioni i AAK-Nisma dhe partnerët, mori 59.888.
Ndërkaq subjekti më i ri që e sfidoi veten politikisht në këtë garë zgjedhore, Koalicioni për Familje, arriti të marrë “vetëm” 18.035 vota, apo 2.23% me çka nuk e kaloi pragun për të qenë pjesë e Kuvendit.
E bartësi i kësaj liste, Eman Rrahmani morri 4 mijë vota më pak, apo 13.948.