’53-milionëshi’, në tetor mbahet seanca në Apel
Gjykata e Apelit e ka caktuar për 7 tetor 2024 seancën në të cilën pritet të elaborohen ankesat e Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të dënuar nga Themelorja me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku), për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje.
Sipas njoftimit të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, seanca në Apel pritet të mbahet më 7 tetor 2024, në ora 10:00.
Në njoftim janë ftuar që në këtë seancë të marrin pjesë përfaqësues nga Prokuroria e Apelit, i akuzuari Lekaj me avokatin Artan Qerkini, i akuzuari Berisha me avokatin Afrim Salihu, i akuzuari Shatri me avokatin Florent Latifaj dhe i akuzuari Tahiri me avokatin Urim Vokshi, si dhe pala e dëmtuar-Avokatura Shtetërore.
Sipas aktgjykimit të shpallur më 31 janar 2024, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.