54% e qytetarëve i vlerësojnë të drejta vendimet e Kushtetueses për ligjet që synojnë reforma në drejtësi
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur të premten konferencë për medie, në të cilën janë prezantuar rezultatet e hulumtimit të opinionit publik, me theks këndvështrimet e qytetarëve të Kosovës mbi ecurinë e reformës në sektorin e drejtësisë.
Gjatë shpalosjes së të dhënave, Violeta Haxholli nga KDI-ja ka thënë se përmes këtij sondazhi është synuar të kuptohen disa çështje, duke filluar me atë se si e shohin qytetarët qasjen e qeverisë dhe subjekteve opozitare ndaj procesit të reformës në drejtësi, si i kanë parë vendimet e Gjykatës Kushtetuese rreth ligjeve të cilat tentojnë të reformojnë sistemin e drejtësisë dhe çfarë pritjesh kanë nga ky proces.
Në pyetjen drejtuar qytetarëve se si e vlerësojnë qasjen e qeverisë ndaj reformës në drejtësi, 49% janë të mendimit se qeveria me anë të reformës po synon fuqizimin e sundimit të ligjit, kundrejt 22% të qytetarëve që mendojnë se qeveria me anë të reformës po synon ndërhyrjen në sektorin e drejtësisë.
Ndërsa, 18% e tyre mendojnë se qeveria po shpërfillë akterët e tjerë gjatë procesit të hartimit të ligjeve.
Kur kanë pyetur se cilat mund të jenë arsyet e subjektet opozitare për të dërguar ligjet e reformës në Gjykatën Kushtetuese, 31% e tyre kanë thënë se opozita i ka dërguar ligjet në gjykatë për shkak të cilësisë së dobët të tyre, ndërsa 31% e tyre janë shprehur se kjo po bëhet për të shmangur mundësitë e ndërhyrjeve të qeverisë në organet e drejtësisë.
Në anën tjetër 25% e qytetarëve mendojnë se opozita i ka dërguar ligjet në gjykatë për shkak se ndjehet e kërcënuar nga reforma në drejtësi, kundrejt 17% të tyre që mendojnë se me anë të këtij veprimi opozita po pengon reformën.
Në pyetjen se si i shohin qytetarët vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjet e reformës në drejtësi, 54% e qytetarëve janë shprehur se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të drejta, kundrejt 24% të tyre që i konsiderojnë vendimet si të padrejta. Ndërsa nuk kanë ofruar përgjigje 21% prej tyre.
Në fund, qytetarët janë pyetur edhe rreth pritjeve të tyre nga procesi i reformës në drejtësi, për çka 41% e tyre janë përgjigjur se presin që reforma të fuqizojë sundimin e ligjit.
Ndërsa, 30% e tyre se reforma do të përmirësojë punën e gjykatave dhe prokurorive. Në anën tjetër, 28% e qytetarëve të anketuar nuk presin ndryshime nga reforma në drejtësi.