57 për qind e qytetarëve thonë se sektori i drejtësisë ka mbetur i njëjtë
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar të mërkurën rezultatet e sondazhit më të fundit me qytetarë ku u shpalosën këndvështrimet e tyre mbi ecurinë e reformës në sektorin e Drejtësisë.
Në konferencë u përmendën edhe gjetjet nga raporti i fundit i KDI-së, i cili ka përmbledhur një vlerësim të përgjithshëm mbi dinamikën e reformës në drejtësi në këto tre vite e gjysmë të Qeverisë Kurti.
Raporti vlerëson se Reforma në Drejtësi, që ishte një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Kurti, edhe pse u materializua në disa nisma të rëndësishme ligjore, nuk ka arritur të përmbyllet dhe të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve për një gjyqësor më efektiv dhe trajtim më efikas të rasteve të korrupsionit.
Mungesa e qartësisë dhe konsensusit politik mbi përmbajtjen e reformës, polemikat e shumta midis qeverisë dhe krerëve të institucioneve të drejtësisë lidhur me ndryshimet legjislative si dhe dilemat mbi kushtetutshmërinë e ligjeve që prekeshin nga Reforma e shoqëruan procesin që nga fillimi.
Pavarësisht përfshirjes aktive të organizatave të shoqërisë civile në të gjitha platformat e diskutimit, ndikimi tyre në vendim-marrje ishte shumë i kufizuar për shkak të mbizotërimit të perspektivës së qeverisë në procesin legjislativ.
Përfundimisht, mungesa e informimit të publikut lidhur me përmbajtjen e reformës dhe mundësitë që publiku të përfshihej në proces ishin evidente thuajse në të gjitha sondazhet e realizuara në dy vite nga KDI, duke bënë në pah domosdoshmërinë e një komunikimi më të hapur dhe më përmbajtësor të Qeverisë me qytetarët lidhur me efektet praktike që po synoheshin nga kjo Reformë.
Raporti u fokusua në vlerësimin e shtyllave kryesore të Reformës, Vetingun për krerët e institucioneve të drejtësisë, reformat në Këshillin Prokurorial dhe Projekt-ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve publikë.
Sipas KDI, Qeveria duhet të vijë me alternativë tjetër për jetësimin e Vetingut, pasi miratimi i amandamenteve kushtetuese kërkon edhe votat e Listës Serbe. Në anën tjetër, Ligji për Këshillin Priokurorial duhet të trajtojë adresojë opinionet e Komisionit te Venecias dhe të përfundojë leximin e dytë pa vonesa. Përfundimisht, Gjykata Kushtetuese në trajtimin e Projektligjit të Byrosë, ka tejkaluar periudhën optimale të dhënies së përgjigjes duke vënë në pritje zbatimin e këtij ligji.
Duke iu rikthyer të dhënave nga sondazhi i fundit, i realizuar nga 6-15 qershori, Arbër Thaçi, tha se ky sondazh ka në fokus procesin e vazhdimit të Reformës në Drejtësi gjatë këtyre tri viteve të qeverisjes Kurti. Pyetjet e parashtruara ndaj qytetarëve synojnë të vënë në pah tri çështje kryesore, performancën e sektorit të drejtësisë gjatë këtyre tri viteve, njohuritë e qytetarëve mbi Ligjet e Reformës në Drejtësi dhe aspektet më të rëndësishme të sektorit të drejtësisë sipas qytetarëve, në të cilat duhet të vazhdojnë reformat.
Kështu, në pyetjen e parë drejtuar qytetarëve se si e vlerësojnë ata performancën e institucioneve të drejtësisë (gjykatave dhe prokurorive) krahasuar me tri vite më parë, 57,2% janë deklaruar se performanca e gjykatave dhe prokurorive ka mbetur e njëjtë gjatë kësaj periudhe. Në anën tjetër, vetëm 19,8% e qytetarëve vlerësojnë se performanca e këtyre institucioneve është përmirësuar, krahas 17,8% që mendojnë se është përkeqësuar. Ndërsa, 5,3% e të anketuarve janë shprehur se nuk e dinë apo kanë refuzuar të përgjigjen.
Tutje, pyetja e dytë drejtuar qytetarëve, se për cilat nga iniciativat ligjore në kuadër të Reformës në drejtësi kanë dëgjuar, ku ata kanë pasur mundësi të përzgjedhin më shumë se një opsion, ka vënë në pah se në përqindje mjaft të lartë 29,9% e qytetarëve vazhdojnë të mbesin të painformuar me projektligjet dhe ligjet e miratuara në kuadër të reformës në Drejtësi. Në anën tjetër, 28,3% e tyre kanë dëgjuar lidhur me vetingun në sektorin e drejtësisë, 27,6% lidhur me Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ndaj personave zyrtar, 27,2% kanë dëgjuar lidhur me ndryshimet në Kodin Penal të cilat kanë ashpërsuar dënimet për dhunën në familje. Kurse, qytetarët më pak kanë dëgjuar lidhur me iniciativën për krijimin e Gjykatës Administrative, me vetëm 19,4% e tyre që kanë dëgjuar për një gjë të tillë. 17,5% e tyre kanë dëgjuar lidhur me Ligjin për Këshillin Prokurorial që synon ndryshimin e përbërjes së këtij Këshilli, kundrejt 13,8% e tyre që kanë dëgjuar lidhur me krijimin e Gjykatës Komerciale.
Thaçi vijoi me përgjigjet e pyetjes së fundit drejtuar qytetarëve në të cilën ata kanë pasur mundësi të përzgjedhin për nga rëndësia më e madhe tek më pak e rëndësishme, se në cilat aspekte të sektorit të drejtësisë duhet të vazhdojnë reformat në drejtësi.
Lidhur me këtë, 30.3% e qytetarëve presin që reforma në drejtësi të vazhdojë në zvogëlimin e vonesave në trajtimin e rasteve në Gjykata, si aspekti më i rëndësishëm për ta. Si çështje e dytë ata mendojnë se reforma duhet të vazhdojë në rritjen e ndëshkimeve për gjyqtarët dhe prokurorët me performancë të dobët, me 22,9% e tyre që kanë përzgjedhur këtë aspekt si zgjedhje e dytë. Në anën tjetër, më pak të rëndësishme për qytetarët janë mbikëqyrje më e madhe të punës së prokurorëve dhe gjyqtarëve ku 19,8% e tyre e kanë përzgjedhur këtë si zgjedhje të tretë, ndërsa 22,6% si zgjedhje të katërt për nga rëndësia. Në një përqindje relativisht të lartë prej 48.6%, qytetarët kanë thënë se reforma nuk duhet të fokusohet në rritjen e pagave për punëtorët e sektorit të drejtësisë.
Ky hulumtim i opinionit publik është realizuar me metodën e Omnibusit, në të cilin kanë marrë pjesë 1065 respodentë të moshës mbi 18 vjeç. Periudha e anketimit përfshin datën nga 6 deri me 15 qershor 2024.