6 630 ushtarë rusë të vrarë dhe 90 tanke të shkatërruara brenda javës në Ukrainë
Sipas Kievit, Rusia ka humbur afër 950 ushtarë në ditë në luftën në Ukrainë gjatë javës së fundmit, duke vënë në pah faktin se po i kushton shumë shtrenjtë Rusisë pushtimi i Ukrainës.
Në njoftimin më të fundit nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, thuhet se gjatë 24 orëve të fundit, forcat ruse kanë humbur 960 ushtarë dhe 17 tanke, ku që nga fillimi i luftës Kremlinit i janë vrarë 415.640 ushtarë, shkruan Newsweek.
Ukrainasit pretendojnë se Rusia ka humbur 17 tanke të premten, ku numri i përgjithshëm i mjeteve luftarake që i janë shkatërruar Rusisë nga fillimi i luftës ka shkuar në 6.624, transmeton Telegrafi.
Madje thuhet se gjatë javës së fundit, Rusia ka humbur në total 90 tanke, dhe disa prej tyre konsideroheshin si më modernet në ushtrinë e këtij vendi.
Ndërkaq nga tërheqja e trupave ukrainase më 17 shkurt, Rusia ka bërë avancim të vogël në rajonin e Donetskut, përkatësisht në Ivanivske në afërsi të Bakhmutit si dhe në Stepove dhe Berdyshi, ka njoftuar Instituti për Studimin e Luftës të premten.
Megjithatë nga Kievi bëjnë të ditur se ky avancim i vogël po ka një kosto të madhe për Moskën. Vetëm gjatë javës së kaluar, numri i ushtarëve rusë të vrarë kanë shënuar rekord në veçanti në dy raste, ku të mërkurën u vranë 1.060 dhe të enjten 1.150 tjerë, shifra më e lartë që nga 18 shkurti.
Që nga 25 shkurti e deri te shtunën, Rusia ka humbur 6.630 ushtarë sipas pretendimeve të Kievit, një mesatare prej 947 ushtarësh në ditë. Ukraina gjithashtu pretendon se Rusia ka humbur edhe 17 tanke tjerë gjatë 24 orëve të fundit.