6.8 milionë refugjatë ukrainas në botë

08 mars 2025 | 20:58

Ndërkohë që lufta në Ukrainë hyri në vitin e katërt, 6.8 milionë ukrainas vazhdojnë të jetojnë si refugjatë. Studiuesit thonë se më pak se gjysma planifikojnë të kthehen pas përfundimit të luftës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lesia Bakalets njofton nga Kievi për përpjekjet që mund të bëhen për të nxitur një numër më të madh të tyre të kthehen në atdhe.

Kështu dukej qyteti Bakhmut, në pjesën lindore të Ukrainës para pushtimit nga ushtria ruse në pranverën e vitit 2023.

Galyna Grahno u largua nga qyteti me familjen e saj në fillim të sulmit të gjerë të Rusisë, në vitin e parë të luftës.

Tani, ajo thotë se nuk ka ku të kthehet.

“Në tetor të vitit 2022, pashë një video-regjistrim në internet nga qyteti dhe njoha apartamentin tim. Këndi i dhomës së vajzës time ende po qëndronte. Edhe tryeza po qëndronte ende, një ekran mbi tavolinë, por çdo gjë tjetër ishte shkatërruar”, thotë ajo.

Ky është viti i tretë që kur Grahno po jeton me familjen e saj në Poloni. Ajo thotë se ka pak gjasa që të kthehet në Ukrainë.

“E flas më mirë gjuhën polake – kalova provimin për nivelin B1 dhe mora kurse të kontabilitetit në gjuhën polake. Vajza ime filloi studimet universitare. Andaj, ka shumë mundësi që të qëndrojmë këtu”, thotë ajo.

Shumica e ukrainasve që ikën nga lufta ndajnë pikëpamjet e zonjës Grahno, thotë Hlib Vyshlinsky, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Strategji Ekonomike, një organizatë joqeveritare që merret me hulumtime në Kiev.

“Sipas një ankete që bëmë në fund të vitit 2022 mbi 50 për qind e refugjatëve ukrainas synonin të ktheheshin. Tani, kjo shifër ka zbritur në afro 20 për qind”, thotë ai.

Mungesa e sigurisë është njëri prej faktorëve kryesorë, thotë zoti Vyshlinsky.

Margaryta Sytnyk bashkëthemeluese e grupit ‘Holka’ thotë se vështirësi të tjera për t’u kthyer janë mungesa e vendeve të punës dhe banimit.

“A do të ekzistojë infrastruktura, shkolla, apo e ardhmja për fëmijët – këta janë faktorët kyç në vendimin për t’u kthyer, apo për të qëndruar në një vend të dytë”, thotë ajo.

Zonja Sytnyk jeton dhe punon në Poloni në shtatë vitet e fundit. Por kur filloi lufta, ajo vendosi të kthehej në Ukrainë.

“Si njeri që ka përvojën e imigrantit, i kuptoj shqetësimet dhe vuajtjet e tyre”, thotë ajo.

Sipas Qendrës për Strategji Ekonomike, 80 për qind e refugjatëve ukrainas janë duke bërë punë që kërkojnë më pak kualifikime se ato që kanë ata.

Eksperti për politikat e migrimit, Andrii Gaidutski beson se shumë nga refugjatët ukrainas në mënyrë të natyrshme nuk duan të humbasin statusin e tyre dhe do të zgjedhin të kthehen në momentin kur vendoset paqja dhe kur kushtet të jenë të favorshme – çështje për të cilën duhet të përkujdeset qeveria e Ukrainës.

“Shteti duhet të krijojë kushtet për zhvillimin e biznesit këtu. Një punëdhënës do të punësojë një refugjat ukrainas i cili është kthyer, duke i dhënë atij mundësinë që të punojë këtu dhe të fitojë mjaft për të paguar qiranë e shtëpisë”, thotë ai.

Mbetet po aq e paqartë nëse ata që janë detyruar të qëndrojnë në Ukrainë gjatë luftës do të mbesin atje pas përfundimit të luftës.

“Sipas anketës, pasi të hapen kufijtë, rreth 20 për qind e ukrainasve mund të largohen. Mbetet për t’u parë se nën çfarë kushtesh ukrainasit që kanë përjetuar luftën, do të vazhdonin të jetonin këtu”, thotë zonja Sytnyk.

Kombet e Bashkuara thonë se tani janë rreth 7 milionë refugjatë ukrainas në botë – gati një e gjashta e popullsisë së para luftës të Ukrainës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të premten se Kanadaja…