6 emigrantë vdesin nga i ftohti në Greqi
Gjashtë emigrantë kanë vdekur nga i ftohti ditët e fundit në Greqinë verilindore, afër kufirit tokësor me Turqinë.
Mjeku ligjor Pavlos Pavlidis, me qendër në qytetin e Alexandroupoli në Greqinë veriperëndimore, tha se viktimat ishin katër burra dhe dy gra, të gjitha nën moshën 30-vjeç.
Identiteti dhe kombësia e tyre janë të panjohura, megjithëse duket sikur të dy gratë janë nga Afrika, ka thënë Pavlidis për agjencinë e lajmeve AP.
“Trupat e pesë emigrantëve u gjetën gjatë fundjavës dhe i gjashti u zbulua më 5 dhjetor”, ka thënë Pavlidis.
Trupat e dy grave u gjetën pranë lumit Marica, i cili shkon përgjatë pjesës më të madhe të kufirit tokësor midis Greqisë dhe Turqisë. Burrat u gjetën në një terren kodrinor, transmeton KosovaPress.
Të gjithë besohet se kanë hyrë në vend në mënyrë të paligjshme nga Turqia. Edhe pse shumica e emigrantëve nga Turqia për në Greqi përdorin rrugën e detit, në anije të vogla jo të besueshme, shumë prej tyre zgjedhin rrugën tokësore përmes lumit Marica sidomos gjatë natës kur temperaturat në dimër bien nën zero.