6 pikat falso të kryeministrit!
Shkruan: Kimete Berisha
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
– Që nuk është.
Meqenëse nuk është, nuk mund të bëhet.
Për t’u bërë Asociacioni duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës.
Për t’u ndryshuar Kushtetuta duhet kohë. E, perendimit po i ngutet.
Meqenëse në Kushtetutën e Serbisë – Kosova është pjesë e Serbisë, Asociacionin askush nuk mund ta ndal t’i bashkëngjitet Serbisë, sepse qeveria e Kosovës mund ta themelojë Asociacionin me një vendim, por nuk mund ta zhbëjë me asnjë vendim.
Pse serbët nuk e bëjnë vetē Asociacionin?
Pasi që nuk e njohin Kosovën shtet, pse presin nga qeveria e Kosovës t’i ndajë dhe t’i pavarësojë ata nga Kosova.
Kryeministri Kurti disa herë u ka thënë: ‘Unë nuk themeloj Asociacione’ – demek bëjeni vetë!
Pse pra ata nuk po e bëjnë vetë?
Sepse, të gjithë po duan që Kosova të ndahet vullnetarisht – me marrëveshje.
S’ka nevojë të jesh i mençur për ta ditur se: Çdo gjë që është mirë për Serbinë – është keq për shqiptarët.
2. Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, duhet ta ndërroj emrin.
– Asociacioni është kërkesë e Serbisë për ‘bashkimin e serbëve’ dhe ndarjen e tyre nga Kosova.
Asociacioni do të jetë serb, por kryesore të mos quhet ‘serb’.
Kryeministri Kurti po lyp çare në eufemizma: ‘nuk thotë të vërtetën’, në vend të ‘gënjen’.
Pika dy e kryeministrit Albin Kurtit është si pikat e shiut të vizatuara në çadër.
3. Nuk ka arritur asnjë lloj reciprociteti me Serbinë, por kryeministri Albin Kurti pretendon reciprocitet për Asociacione me Serbinë.
Sipas kryeministrit Kurti, nëse serbët do ta kenë Asociacionin e tyre në Kosovë, edhe shqiptarët duhet ta kenë Asociacionin e tyre në Serbi.
Nuk është ide e keqe, por nuk është as ide e mirë, sepse: komunat shqiptare në Serbi janë grumbull, kurse komunat me shumicë serbe në Kosovë janë të shpërndara nëpër të gjithë Kosovën, që do të thotë do të krijohen enklava gjithandej.
Novobërda, pa qenë e ndarë, nuk ka arritur ta ruaj as kalanë e saj nga Serbia. Serbët ditë’m drekë, në emër të ndërtimit, para syve të rojeve shqiptare i kanë vjedhur artefaktet e i kanë dërguar në Serbi.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në Veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
– Dorëzoma ti njëherë armën – pastaj unë ty të bëj shtet.
Pasi që serbët do t’i dorëzonin armët – kush do t’i ndalte ata të pajisen me armë të reja?
Dhe kur të armatoseshin përsëri kush do t’i çarmatoste ata, kur qeveria ka të drejtë vetëm ta ndajë Kosovën por jo edhe ta bashkojë.
Asociacioni do të jetë vetëm i komunave serbe, kurse Kosova do të jetë e të gjithëve, sidomos e serbëve.
Pra, kjo pikë e kryeministrit Kurti është ‘bilbil me pika pika’!
5. Albin Kurti bën me dije se themelimin e Asociacionit e shet strenjtë – me njohje nga Serbia.
Nëse Serbia e njeh Kosovën (e mbetur), Kryeministri Kurti ia dhuron Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sa më shumë që digjesh të të njoh Serbia, aq më shumë ia rritë pazarin Serbisë.
Kosova duhet të çlirohet nga nevoja që të njihet nga Serbia.
6. Kjo pikë është lojë me mendtë e shqiptarit që kryeministri (pak a shumë me të drejtë) e konsideron të pamend.
Çfarë arritje është që Serbia t’i tërheq letrat nga shtetet anëtare të BE për mospranimin e aplikimit të Kosovës në BE.
Edhe nëse do t’i tërhiqte letrat e vjetra Serbia mund t’i dërgojë letrat e reja, pas themelimit të Asciacionit!
P.S. I ka zgjedhur 6 pika si Ahtisari…sepse po i duket vetja se po krijon një realitet dhe një shtet të ri.