6 stacione të reja karikimi për makinat elektrike në Tiranë
Nismave të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës për mbrojtjen e mjedisit i janë bashkuar edhe institucione e kompani të ndryshme, të cilat po kontribuojnë jo vetëm në mbjelljen e pemëve të reja, por edhe në trasnformimin e flotës së tyre të automjeteve.
Pas flotave të para të taksive elektrike dhe të automjeteve të Bashkisë së Tiranës, edhe Posta Shqiptare po ndryshon logjistikën për ta bërë më miqësore me mjedisin. Postës Shqiptare i shtohen në flotën e saj 12 automjete ekologjikë të dhuruara nga UPU (Universal Postal Union). Ndërkaq, kryeqytetit i shtohen edhe 6 karikues për automjetet elektrike, të cilët u shtohen atyre të vendosur nga bashkia. “Posta është një industri logjistike, kryen shumë lëvizje me automjete, dhe jo vetëm që po e rikuperon këtë duke mbjellë pemë që thithin dioksid karboni dhe çlirojnë oksigjen, por mbi të gjitha duke ofruar një projekt pilot fantastik, duke i shtuar flotës së saj 12 makina ekologjike, 6 prej tyre totalisht elektrike, si dhe 6 karikues, që u shtohen karikuesve të bashkisë, për t’u siguruar që siç kemi stacion autobusi ose pikë karburanti, kemi edhe stacion karikimi të makinave elektrike. Posta bëhet institucioni i parë që fillon këtë revolucion të gjelbër për Tiranën kur vjen puna te transporti”, u shpreh Veliaj. “Jam i bindur se, falë iniciativës së Postës Europiane, edhe çështja e transportit elektrik do të fillojë po kështu, me një kompani, pastaj dy, pastaj pesë, e do të kthehet në trend, për t’i kthyer në minorancë makinat me karburant që helmojnë qytetin dhe fëmijët”, ka deklaruar Veliaj, shkruan “monitor.al”.
Administratori i Postës Shqiptare Sh.a, Laert Duraj përshëndeti nismën e Bashkisë së Tiranës, e cila përveçse po përmirëson cilësinë e jetës në qytet, po ndërgjegjëson shoqërinë shqiptare për më shumë vëmendje ndaj mjedisit. “Rëndësia e vërtetë e kësaj që po bën Erioni dhe Bashkia e Tiranës shkon përtej numrit të pemëve të mbjella, por tek shembulli që po jepet dhe te sensibilizimi i shoqërisë shqiptare. Me kënaqësi shikoj që të gjitha bashkitë e tjera ndjekin me të njëjtin përkushtim shembujt që jep Tirana. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe ne te Posta Shqiptare, të krijojmë një shembull që kompanitë publike, ato shtetërore dhe ato private, të përdorin mjete transporti, të kthejnë sytë nga energjia e gjelbër”, ka deklaruar ai.
Përfaqësuesja e Postës Evropiane, Maire Lodi u shpreh e kënaqur që tashmë edhe Posta Shqiptare do të përdorë automjete hibride dhe elektrike.