6 vite pa Belin
Drithërimë. Dënesje. Prezencë e Belit në jetën tonë, i transformuar në padukshmen.
Sërish acar në dimrin e gjashtë të humbjes së madhe.
Sërish betejë, luftë e pakompromis ku krenaria triumfaliste ngritë kupën e megjithatë kujtimi merr mirënjohje për pjesëmarrjen e përhershme.
Tashmë në rrethana të reja, por ku dëshpërimi mbetet i vjetër. I vjetër sa momenti kur jemi pajtuar që nuk mund të pajtohemi me humbjen tënde.
Para gjashtë vitesh menduam që do të ritrokasësh në derën e jetës dhe të vijoje misionin tënd. Nuk ndodhi dhe ja sot sërish akullnajë në natyrë e akullnajë në zemrat tona.
Beli ynë, të kërkoj falje që e monopolizova, personalizova dhe familjarizova kujtimin për ty sepse ti ishe i të gjithëve, por më kupto njerëz jemi dhe në një stad na mposhtin barbarisht emocionet.
Prehu i qetë Beli ynë sepse kujtimi i yt mbetet i gjallë deri në kohën kur koha të zhduket, deri në infinit, deri në pavdekësi!
E përkujton bashkëshortja Afërdita Sopjani-Peci