60 vjet burgim për mirëmbajtësin e shkollës që vendosi kamerë në tualetin e vajzave
Një ish-mirëmbajtës i një shkolle të mesme në Florida është dënuar me 60 vjet burgim për vendosjen e një kamere të fshehur në tualetin e vajzave.
Derremy Jerrell Walker, 31 vjeç është dënuar të martën në një gjykatë federale në Orlando. Ai në qershor ishte shpallur fajtor për dy akuza për shfrytëzim ose përpjekje për shfrytëzim të fëmijëve për prodhimin e pamjeve eksplicite seksuale me fëmijë.
“Walkeri bëri më shumë sesa prodhimi i tmerrit; ai ua volli pafajësinë dhe besimin këtyre viktimave të reja”, ka thënë Michael McPherson, agjent special i FBI-së.
Walkeri ishte mirëmbajtës i kontraktuar në shkollën e mesme “Oviedo” në nëntor të vitit 2019, kur dy vajza 15-vjeçare kanë zbuluar një telefon që ishte duke incizuar, i fshehur nën lavaman. Vajzat e kanë dërguar telefonin te administratori i shkollës, i cili më pas e ka njoftuar policinë, shkruan “Fox News”.
Me anë të analizës së forenzikës që i është bërë telefonit është zbuluar se Walkeri e kishte vendosur atë në të njëjtin vend dy herë më parë, duke siguruar pamje të gjithsej 12 nxënëseve.
Hetuesit gjithashtu kanë zbuluar se ky person e kishte vendosur telefonin për të incizuar edhe në një tualet tjetër të shkollës.