600 mijë udhëtarë hynë në Kosovë për gjashtë muaj vetëm përmes Aeroportit
Edhe këtë vit numri i mërgimtarëve që kanë vendosur t’i kalojnë pushimet në vendlindje është i madh.
Ndonëse ende nuk ka statistika se sa mërgimtarë kanë hyrë në territorin e Kosovës këtë vit, bazuar në statistikat e aeroportit, numri i udhëtarëve, sigurisht jo vetëm bashkatdhetarë, që kanë hyrë në Kosovë është shumë i madh. Vetëm përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në vend prej janarit e deri në korrik kanë hyrë mbi 600 mijë udhëtarë. Kështu i kanë thënë “Gazetës Express”, zyrtarë nga Aeroporti “Adem Jashari”. Unidon Krasniqi, nga ky institucion ka thënë se në krahasim me vitin e kaluar numri i udhëtarëve po shkon duke u rritur.“Numri i udhëtareve që kanë hyrë në Kosovë përmes ANP “Adem Jashari” në periudhën Janar-Korrik 2018 ka arritur në 619,466. Në krahasim në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ky numër është rritur për mbi 14% (ka qenë 543,116)”, ka thënë Krasniqi.
Numri më i madh i këtyre udhëtarëve vijnë nga Zvicra, Gjermania e Turqia. Ndërsa, muaji më i ngarkuar për nisje dhe nisje deri më tani ka qenë korriku, gjersa Krasniqi thotë se pritet që Gushti të jetë më i ngarkuari në vit si zakonisht në bazë të statistikave të mëhershme.“Gjate 6-mujorit të parë 2018, numri me i madh i udhëtareve është shënuar nga këto vende: Zvicër – 37.59%, Gjermani – 30.51% dhe Turqi – 14.40% etj.”, ka thënë ai. Por, se sa prej këtyre udhëtarëve kanë qenë mërgimtarë, në këtë institucion nuk kanë ofruar të dhëna.“Pjesa me e madhe e udhëtareve tanë janë mërgimtarët mirëpo të dhënat e lartpërmendura janë për udhëtarët tanë ne tërësi pa marre parasysh vendin rezident andaj për të dhëna me të detajuara ju lusim të kontaktoni MPB”, thuhet në përgjigjet e Krasniqit.