600 policë i ruajnë institucionet e vendit
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka bërë me dije se 600 policë janë bllokuar duke ruajtur institucionet
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mbajtur të premten takimin e radhës të drejtuar nga kryetari Haxhi Shala.
Në këtë mbledhje i pranishëm ishte ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, për të raportuar lidhur me zbatimin e Planit Kombëtar të Zbatimit të MSA-së.
Sefaj ka bërë me dije se për vitin 2017 kanë qenë të parapara 98 masa në kuadër të planit kombëtar për zbatimin e MSA-së ndërkaq, sipas tij, 77 prej tyre janë realizuar, kurse 21 janë në zbatim e sipër.
Në këtë mbledhje u raportua edhe për dy marrëveshje: marrëveshjen për lëvizje të lirë dhe atë për menaxhim të integruar të kufijve.
Gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ai ka bërë me dije se 600 policë janë bllokuar duke ruajtur institucionet.
“Diku 600 policë janë të bllokuar për ruajtjen e objekteve qeveritare”, ka thënë ministri Sefaj, duke shtuar se këta policë janë trajnuar për çështje të tjera. “Ata janë trajnuar për çështje të tjera e jo për të qëndruar në kabina”, ka thënë Sefaj.
Ministri Sefaj ka pohuar se është i nevojshëm hartimi i një ligji të veçantë për pensionimin e pjesëtarëve të organeve të sigurisë. Sipas ministrit, ky ligj do të ndikonte në paraqitjen e policisë si dhe rekrutimin e policëve të rinj.
“Policia dhe FSK-ja duhet ta kenë një ligj për pensionim. Ju lutem na ndihmoni ta bëjmë këtë. Ne do ta bëjmë një grup punues për të bërë këtë ligj”, është shprehur ai.