Nga 1 janari s’mund të zhdoganohen veturat më të vjetra se 10 vjet
Dogana e Kosovës ka njoftuar opinionin publik se nga 1 janari i vitit 2018 do të fillojë zbatimi i Ligjit për Automjete Nr. 05/L-132, ku veturat më të vjetra së 10 vjet dhe ato që nuk kanë motor të standardit “Euro 4” nuk do të mund të zhdoganohen në Republikën e Kosovës.
“Me rastin e përcaktimit të vjetërsisë do të merret për bazë viti i parë i regjistrimit i cili duhet të jetë brenda periudhës 1 janar – 31 dhjetor të vitit 2008 . Kjo nënkupton se të gjitha automjetet të cilat janë regjistruar për herë të parë në këtë periudhë të vitit 2008 dhe i plotësojnë kushtet për lirimin e gazrave sipas standardi të përcaktuar me “Euro 4” mund të importohen në Kosovë. I vetmi institucion në Kosovë i cili ka mundësi për përcaktimin e nivelet të lirimit të gazrave është institucioni i autorizuar për homologim ‘Eurolab’”, është thënë në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, kjo ndalesë nuk zbatohet në importin e mjeteve motorike për transport të mallrave, automjeteve të importuara në procedurë të importit të përkohshëm (IM5), automjeteve për shfrytëzim nga misionet diplomatike (ligji nr. 03/l-033), dhe automjetet me vlerë muzeore (oldtimer).